Tirana dhe Athina përzgjidhen si shembuj suksesi për mënyrën se si kanë vepruar dhe menaxhuar qytetin. Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, bëri bashkë si histori suksesi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Kryebashkiakun e Athinës, Kostas Bakojanis, të cilët morën vlerësime për menaxhimin që Tirana dhe Athina i bënë qytetit gjatë krizës së shkaktuar edhe nga pandemia COVID-19.

 

 

Kryebashkiaku Veliaj dhe ai i Athinës Bakojanis postuan fotot e këtij takimi të përbashkët me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Di Maio.

 

 

“Ishte një kënaqësi e madhe t’i bashkohesha ministrit Luigi Di Maio dhe senatorit Luciano D’Alfonso, bashkë me mikun tim, kryetarin e Bashkisë se Athines, Kostas Bakoyannis. Te dyja qytetet u vlerësuan që vepruan shpejt gjatë krizës. Jam i lumtur që fqinjët tanë po investojnë tek qytetet!”, shkruajti Veliaj.

 

 

Gjatë periudhës së pandemisë, Bashkia e Tiranës mori masat e nevojshme jo vetëm për kufizimin e përhapjes së virusit, por edhe për mbështetjen e komunitetit dhe ofrimin e të gjitha shërbimet kryesore me kapacitet maksimale. Përmes stafeve të njësive administrative dhe lagjeve në territorin e saj, u mundësua asistencë në familje, duke ofruar paketa ushqimore me produkte bazë për familjet në vështirësi ekonomike, shërbim në banesë për përkujdesje dhe blerje të ushqimeve apo medikamenteve, kjo sipas vlerësimit të kërkesës së drejtuar, ku një nismë e veçantë ishte dhe ajo “Adopto një gjysh/gjyshe”.

 

 

Ndërkaq, përmes Këshillit Bashkiak të Tiranës u ndërmorën dhe një sërë lehtësirash fiskale për bizneset që veprojnë në kryeqytet në mënyrë që ato të vijonin veprimtarinë e tyre ekonomike, pavarësisht vështirësive.

Leave a Reply

Your email address will not be published.