Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilloi një takim ku janë diskutuar hapur problematikat që hasen në përballjen me administratën tatimore.
Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane, Alketa Uruçi, u ndal te domosdoshmëria për ndërhyrje të menjëhershme në legjislacion pasi praktikat që po ndiqen janë të gabuara.
“Praktikat e administratës tatimore me TVSH janë shumë të gabuara. Dy raste po përmend, rimbursimi i TVSH për rastet e investimeve në turizëm apo industri, ku administrata tatimore gjen artifica për të mos kredituar TVSH për bizneset që po bëjnë një investim. Kjo është një barrë e rëndë për investimet.”, tha Uruçi.”
Nga ana tjetër kreu i tatimeve tha se administrata tatimore është duke punuar tashmë për një harmonizim me praktikat europiane duke bashkëpunuar dhe me agjencinë suedeze.
“Administrata tatimore po punon me një afat shumë të ngushtë për harmonizimin dhe zbatimin e direktivave efektive të lidhura me administrimin tatimor, duke u asistuar nga Administrata Tatimore Suedeze. Dua të them disa fjalë në lidhje me tarifat fiskale. Në të kaluarën ka pasur gjithmonë ankesa nga sektori i biznesit në lidhje me frekuencën e kontrolleve të tatimeve”, tha Ilir Binaj, drejtori i administarës tatimore.
Në fund Binaj komentoi dhe paketën e re fiskale që do të nisë zbaimin në fillim të vitit të ardhshëm duke e bërë prioritetin numër 1 të institucionit.
“Ne presim draftin final të ligjit për paqen fiskale në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Paqja fiskale është një premtim që qeveria po e implement, është një qasje për të ndihmuar biznesin, për të mos u ngarkuar me kontrolle të tepërta nga Administrata Tatimore, dhe kjo është një ofertë që po u bëhet atyre. Është një nismë e duhur, pasi drafti të jetë gati, do të fillojë edhe zbatimin e tij”, tha Binaj.
Në 10 muajt e parë të vitit, adminstrata tatimore ka arritur të sigurojë për arkën e shtetit 413 miliardë lekë, duke mbetur shtylla kryesore e të ardhurave për buxhetin.





