Viola Sterjo, zyrtare e disa institucioneve publike ne vitet e fundit, u arrestua nga policia këtë të mërkurë me akuzën e mashtrimit.

 

39-vjeçarja u ndalua në banesën e saj në kryeqytet me vendim të gjykatës së shkallës së parë Korçë. Sipas policisë, zyrtarja Viola Sterjo dyshohet se ka përfituar përmes mashtrimit shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm gjatë periudhës mars-nëntor të vitit 2020 me premtimin se do t’u siguronte atyre fonde për investime, nga shteti.

 

Gjatë kësaj kohe, 39 vjeçarja ishte punonjëse në një institucion tjetër shtetëror. Burimet bënë të ditur se Viola Sterjo ka mashtruar 5 persona të ndryshëm të cilëve u kishte marrë shuma nga 20 mijë euro deri në 160 mijë euro, me premtimin për të ndërhyrë në agjencinë e zhvillimit bujqësor dhe rural për t’u siguruar atyre grante.

 

Mashtrimi u zbulua pas një kallëzimi penale të bërë në 12 dhjetor të këtij viti në prokurorinë e Korçës nga një qytetar, i cili kishte një pronë në Voskopojë dhe donte të ndërtonte një hotel. Përmes një të njohuri ai ishte takuar me Viola Sterjon të cilës i kishte dhënë fillimisht 57 mijë euro dhe një sasi lekësh për fondin të cilin nuk e përfitoi.

 

Po ashtu, pre e mashtrimit ka rënë dhe një banor i Pogradecit i cili i ka dhënë afro 37 mijë euro zyrtares me qëllim që të përfitonte një grant prej 1.2 milion eurosh për të ndërtuar një bujtinë.

Një tjetër qytetar i kishte paguar 160 mijë euro Sterjos pasi ajo i doli garant se do t’i siguronte një fond prej 2.2 milion eurosh.

 

39-vjeçarja kishte vetëm pak ditë që ishte emëruar si drejtoreshë e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, por u shkarkua menjëherë pas arrestimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *