Dështoi edhe seanca e dytë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i kësaj seance, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” Avni Dehari njoftoi se nuk ka patur konsensus gjatë konsultimeve nga përfaqësuesit e partive.
Por, çfarë pritet të ndodhë me krijimin e qeverisë në Kosovë? A do të ketë një kompromis mes subjekteve zgjedhore?
Për përpjekjet e krijimit të koalicionit qeverisës, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me moderatoren Pranvera Borakaj ishte analisti Ylli Hoxha.
Analisti tha se partitë politike nuk po e lexojnë siç duhet rezultatin zgjedhor. Hoxha u shpreh se çdo ditë e humbur për Kosovën pa një qeveri është një kosto.
Intervista e plotë
Ishte i pritshëm dështimi i seancës së sotme dhe çfarë presim nga seanca e së shtunës?
Hoxha: Ishte i paralajmëruar, sepse edhe seanca e kaluar ishte në të njëjtën situatë. Rezultati zgjedhor qartazi tregon se ka nevojë për një kompromis. Këtë nuk po e lexojnë siç duhet të gjitha subjektet zgjedhore.
Çfarë ndodh nëse dështon edhe seanca e së shtunës?
Hoxha: Nuk ka asnjë kufizim, mund të dështojnë disa seanca derisa të arrihet marrëveshja. As pozita dhe as opozita nuk kanë shumicë të mjaftueshme për të krijuar qeveri, dhe mes tyre duhet të gjejnë guximin që u mungon dhe përgjegjësinë që u mungon, për të ndërtuar ura komunikimi dhe për të formuar qeveri për katër vitet e ardhshme. Nëse nuk e bëjnë këtë, do të jemi në një qark bllokimi që do të çojë në zgjedhje të parakohshme. Por gjithashtu, kjo do të sjellë një ndjenjë hidhësie te qytetarët, që ndihen të përfaqësuar nga një qeveri e papërgjegjshme.
A ka forca që mund të ulin tonet dhe të shkojnë drejt një kompromisi, apo zgjedhjet e parakohshme janë një zgjedhje?
Hoxha: Do të duhej të hulumtohej hapësira për një komunikim mes atyre që kanë fituar zgjedhjet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe subjekteve të tjera. Kjo është një zgjidhje e tyre. Ke garuar, rezultati të thotë që duhet të kesh një kompromis dhe ke përgjegjësi për të krijuar institucionet. Jemi në një situatë dramatike gjeopolitike. SHBA-ja dhe BE-ja përcaktojnë shumë për ne. Kosova nuk ka luksin të krijojë “qeveri letrash”. Duhet të kemi institucione stabile, që mund t’u përgjigjen sfidave që na presin.
Prisni ju një presion më të madh nga faktori ndërkombëtar?
Hoxha: Jemi mësuar. Kemi krijuar një varësi nga ky presion, mesa duket, dhe tani nuk jemi në gjendje të bëjmë një qeveri vetë.
Dorëheqja e Kurtit, si është përkthyer në opinionin politik?
Hoxha: Ishte e paqartë mënyra si e bëri. Është tërësisht e qartë që Kushtetuta nuk e lejon të jetë njëkohësisht deputet dhe të mbajë funksione ekzekutive. Unë kam konsideruar se opozita do të gjente një rrugë që Kurti të vihej përballë presionit të orës kushtetuese, që ka maksimumi 20 ditë. Nëse ai nuk e bën, i bie radha një personi të dytë që mund të krijojë shumicë dhe të formojë qeverinë.
A mund të ketë kosto nëse nuk arrihet shpejt formimi i qeverisë?
Hoxha: Çdo ditë e humbur për Kosovën është kosto. Të qenurit pa qeveri mund të sjellë kosto të papërballueshme.
/vizionplus.tv





