Subscribe

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK, që i penduari i drejtësisë, Luftar Reçi, të dëshmojë përmes një lidhjeje online, pasi i rrezikohet jeta. Togat e zeza e morën këtë vendim duke arsyetuar se nuk ka ndonjë provë konkrete që të justifikojë këtë formë të posaçme të të pyeturit.

 

Kërkesa e SPAK erdhi pas dështimit të ballafaqimit për të 5-en herë radhazi mes të Reçit dhe të pandehurve Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Endrit Taulla dhe Indrit Rusi, të akuzuar për vrasjen e 3 tre personave në vitin 2005.

Bëhet fjalë për vrasjen e biznesmenit, Vajdin Lame, mikut të tij Artan Arsi dhe biznesmenit tjetër Klodian Saliu.

 

Prokuroria e Posaçme sugjeroi që të përdoreshin mjetet audiovizive, por avokatët mbrojtës thanë se kërkesa ishte e pabazuar në ligj dhe se dëshmia e tij mund të ndikohej.

 

Avokatja e Viktor Ymerajt u shpreh se kjo formë e dhënies së dëshmisë për shtetin shqiptar nënkupton dorëzim, pasi një prokuror i posaçëm nuk mbron dot të penduarin e vet. I të njëjtit mendim ishte edhe avokati i Plaurent Dervishajt, që tha se seanca po mbahet gjallë nga një dëshmi e manipuluar, së cilës do t’i humbasë edhe më shumë vërtetësia përmes shmangies fizike të dëshmitarit nga seanca gjyqësore.

 

Detar Hysi, mbrojtësi i Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit u shpreh se çdo shtetas duhet të japë përgjigje përpara togave të zeza, përndryshe gjykata duhet të  njoftojë avokatët të heqin dorë nga mbrojtja.

 

Edhe vetë i pandehuri Emiljano Shullazi, kundërshtoi me forcë dëshminë online me pretendimin se hetuesit do ti orientonin deklaratat në interes te tyre.

 

Në fund, avokati i Luftar Reçit pranoi që ai të jetë në gjykatë fizikisht për të dhënë dëshminë e tij, ndërsa për seancat e tjera, ai kërkoi që klienti të jetë në lidhje virtuale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *