Policia italiane vazhdon hetimet për dy vdekjet e ndodhura më 7 qershor, atë të transgjinores Camilla dhe shqiptares Nevila Pjetri, trupat e pajetë të të cilëve u gjetën në harkun kohor të 24 orëve jo shumë larg njëri-tjetrit.

 

Për të dyja krimet është arrestuar 32-vjeçari Daniele Bedini. Ai mbetet në burg edhe për indikacionet e tjera të fajit që po dalin ndaj tij.

 

Ndërkohë mësohet se në shtëpinë e Bedinit, në Carrara, janë gjetur dokumentet e transeksualit bashkë me disa sende personale të viktimës. Këtë e konfirmojnë burime hetimore dhe është vetë avokati i Bedinit, Rinaldo Reboa, i cili ka folur në një intervistë për Rai. Vrasësi i dyshuar i 35-vjeçares me origjinë shqiptare Nevila Pjetri dhe i Carlo Bertolotti, transeksuales Camilla me banim në Albiano Magra, qëndron i paraburgosur në burgun Villa Andreino, në La Spezia, ku u bë marrja në pyetje pasditen e djeshme. Ai nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve.

 

Bedini akuzohet se ka vrarë Nevilën, 35 vjeç, dhe në të njëjtën natë Camillën, të dyja në të njëjtën mënyrë: të shtëna me armë zjarri në kokë. Motivi dyshohet se është ai i grabitjes për të marrë para për të blerë drogë. Vrasjet kanë ndodhur në një zonë mes Liguria dhe Toscana, në komunën Sarzana, në Marinella, zonë e njohur për prostitucion. Hetimet e kryera nga karabinierët e La Spezia-s, vijojnë me shpejtësi në pritje të konfirmimit të inspektimit të Ris di Parma që u bë dje dhe ku u identifikuan gjurmë gjaku në automjetin e Bedinit.

 

Ndërkohë, mësohet se me mbërritjen e karabinierëve në shtëpinë e tij ditën e arrestimit ai tentoi të arratisej duke u hedhur nga tarraca në rrugë.
Më pas ai u bllokua nga dy policë. Arma e vrasjes, një pistoletë e kalibrit të vogël, nuk është gjetur ende. Babai i Bedinit kishte denoncuar zhdukjen e armës, të marrë nga një kasafortë që ishte thyer: burri e vuri re vjedhjen të shtunën e kaluar në mbrëmje. Pak orë më vonë ndodhi krimi i parë, ai i Nevila Pjetrit, e vrarë me një armë të kalibrit të vogël ashtu si ai që u zhduk nga kasaforta e babait të Bedinit. Ndër pistat ndaj Bedinit është edhe dëshmia e një miku të tij të denoncuar në dokumentet e gjyqtarit.

 

“Më erdhi në mes të natës, këmisha e tij ishte e njollosur me gjak, po qante dhe kishte dokumentet e një gruaje” mësohet të ketë thënë miku i vrasësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *