Depozitat në sektorin bankar shqiptar nga individët dhe bizneset me rezidencë jashtë vendit janë në rritje të ndjeshme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik depozitat e jorezidentëve në bankat tregtare shqiptare arritën vlerën e 15.9 miliardë lekëve ose 130 milionë eurove. Këto depozita janë rritur me 18% që nga fillimi i këtij viti dhe afërsisht me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Depozitat e jorezidentëve janë një nga zërat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë të ndjekur nga Banka e Shqipërisë në raportimin e statistikave. Megjithatë, tendenca e tyre tregon një rritje në periudhën pas pandemisë, në linjë me ecurinë e përgjithshme të depozitave në sektorin bankar. Madje, ritmet e rritjes së tyre janë edhe më të larta gjatë kësaj periudhe në raport me rritjen mesatare të depozitave bankare, që në fund të muajit korrik ishte rreth 9.2% me bazë vjetore. Sidoqoftë, pesha specifike e depozitave të jorezidentëve kundrejt totalit të depozitave bankare është e papërfillshme, me rreth 0.1% të totalit të tyre.

Depozitat e jorezidentëve në sektorin bankar shqiptar kane qenë historikisht të lidhura me emigrantët, që një pjesë të kursimeve të tyre kanë zgjedhur t’i mbajnë në bankat shqiptare. Në dekadën e fundit, depozitat e jorezidentëve arritën kulmin në fund të vitit 2014, për një shumë totale prej 24 miliardë lekësh. Gjatë viteve në vazhdim, vlera e depozitave të jorezidentëve pësoi një rënie graduale, duke zbritur në intervalin mes 13 dhe 14 miliardë lekëve para pandemisë. Vitin e kaluar, pandemia solli një rritje të ndjeshme, që u zbeh në muajt e fundit të vitit, por që u riaktivizua sërish me fillimin e këtij viti.

Pas shpërthimit të pandemisë, depozitat bankare kanë shënuar ritme më të larta rritjeje krahasuar me periudhën e mëparshme. Kjo tendencë nuk ka qenë specifike vetëm për Shqipërisë dhe ekspertët e kanë shpjeguar sidomos me pasigurinë dhe prirjen më të lartë për kursim mes individëve. Ndërkohë, rënia e volumit të aktivitetit ekonomik shkaktoi edhe shtimin e fondeve të papërdorura në llogaritë e bizneseve. Kjo tendencë duket se po vazhdon edhe pas zbutjes së ndikimeve të pandemisë në aktivitetin ekonomik, sidomos duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti.

Në fund të muajit korrik, totali i depozitave bankare arriti vlerën e rreth 1.34 trilionë lekëve, nga të cilat rreth 82% janë depozita të individëve. Vitet e fundit, rritja e depozitave po përqendrohet sidomos tek llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, sepse normat e ulëta të interesit nuk iu japin shumë stimuj individëve dhe bizneseve t’i mbyllin paratë në depozita pa afat. /Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *