Subscribe

Dënohet me nëntë muaj burg kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Posaçme për falsifikim dokumentesh dhe mosdeklarim të dënimit të dhënë në 1999 nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm kufiri. Mirëpo, togat e zeza pezulluan dënimin me burg, duke e dënuar përfundimisht me 150 orë punë komunitare.

Vetë Hajdari refuzoi të flasë për kamerat, ndërsa avokati i tij, Theodhori Sallaku, nënvizoi se vendimi nuk ndikon në ushtrimin mandatit të kryebashkiakut deri në vendimin me formë të prerë të Apelit të Posaçëm.

“Gjykata dha përfundimisht një vendim dënimi, duke e dënuar me 150 orë në komunitet. Ne dhamë argumentet tona por si duket gjykata nuk u bind. Duhet të merret vendimi i formës së prerë. Se ne do të apelojmë. Sipas nenit 63 nuk figuron i dënuar personi që dënohet me pune në komunitet”, tha Sallaku.

Vendimin do ta apelojë edhe Lefter Maliqi, i cili e kishte kallëzuar në SPAK kryebashkiakun e Kuçovës. Maliqi, i  cili ka qenë kandidat përballë Kreshnik Hajdarit për Bashkinë e Kuçovës, nën siglën e koalicionit “Bashkë fitojmë” ka bërë disa kallëzime për Hajdarin, përfshirë edhe atë të blerjes së votave, krimit elektoral, korrupsionit pasiv e shpërdorim të detyrës.

Më 23 qershor të vitit 1999, Kreshnik Hajdari është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje. Atëherë, Kreshnik Hajdari ishte 17 vjeç dhe si i mitur iu vendos masa e riedukimit, por për këtë dënim nga Gjykata e Janinë ai pretendon se nuk ka pasur dijeni. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *