Pas vizitës së tij në Shqipëri, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias vizitoi Shkupin, nga ku ritheksoi mbështetjen e Athinës zyrtare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Stabiliteti në rajon sipas diplomatit grek mund të sigurohet vetëm me integrimin e vendeve të rajonit në union.

 

NIKOS DENDIAS
MINISTER I JASHTEM I GREQISE

“Greqia dëshiron dhe punon fortë për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Dhe e vetmja mënyrë për të arritur këto synime është të mbështetet plotësisht perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi absolutisht të bindur se negociatat e anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë-Maqedonisë së Veriut duhet të fillojnë menjëherë. Ky është mesazhi që ne i përcjellim vazhdimisht partnerëve tanë evropianë.”

 

Ndërsa, për ministrin e Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani, perspektiva evropiane e Balkanit Perëndimor lidhet me çështjen e sigurisë, si për rajonin ashtu edhe për bllokun evropian.

 

BUJAR OSMANI
MINISTER I JASHTEM I MAQEDONISE SE VERIUT
“Fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është mënyra më e mirë për të rikthyer kredibilitetin evropian në rajon dhe në këtë drejtim më vjen mirë që kemi mbështetjen e plotë të Greqisë. Perspektiva evropiane e rajonit është çështje e interesit të sigurisë si për ne ashtu edhe për Evropën.”

 

Në fund të qershorit, liderët e Bashkimit Evropian do të mblidhen për të vendosur nëse do t’i ndezin dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por shanset janë të pakta për shkak të vetos bullgare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *