Ura mbi Lumin Mat përgjatë superstradës Milot-Lezhë ka pësuar dëmtime. Katër këmbët mbështetëse në anën veriore janë gërryer nga erozioni, duke rritur rrezikun për stabilitetin e saj.
Kjo është ura e tretë në këtë zonë që përballet me probleme të tilla, pas asaj te “Zogut” dhe urës në aksin e vjetër Lezhë–Milot, e cila vazhdon të jetë e bllokuar që prej korrikut të vitit të kaluar.
Eksperti i mjedisit Jak Gjini thotë se ndërhyrjet pa kriter në shtratin e lumit kanë prishur balancat natyrore, duke sjellë këto pasoja.
Me një gjatësi rreth 300 metra, ura mbi lumin Mat përgjatë superstradës Milot-Lezhë u ndërtua në vitin 2002 me mbështetjen e qeverisë italiane dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur ndërhyrje për frenimin e erozionit në këmbët e saj dhe forcimin e tyre.
Ajo është një nyje shumë e rëndësishme e lidhjes së veriut me pjesën tjetër të vendit.





