Deputetja demokratike, njëkohësisht edhe kandidate në qarkun e Tiranës, në Njësinë 9, Dhurata Çupi tregoi ethet e garës për zgjedhjet e 11 majit.
Në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve të orës 19:00 në Televizionin Kombëtar Vizion Plus të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Çupi u shpreh se Tirana është një terren shumë i vështirë, teksa nënvizoi veçantinë e fushatës së saj.
Deputetja demokrate tha se është përpjekur të bisedoj me qytetarët, të tregojë çfarë do bëjë opozita, jo të tregojë atë që nuk ka bërë qeveria.
Intervista e plotë:
Pse e latë Dibrën dhe si po ju duket gara në Tiranë?
Çupi: Unë kam qenë deputete dhe e nderuar gjithashtu që të përfaqësoja Dibrën. Mendoj se e kam përfaqësuar atë qark me korrektësi dhe seriozitet. Tashmë unë kandidoj në qarkun Tiranë. Por deri në shtator unë mbetem deputete e qarkut të Dibrës.
Si po ju duket gara, sepse është një terren i ri për ju
Çupi: Po, është një terren i vështirë. Është e vështirë për ne gratë sidomos, si nga listat e hapura, por edhe në një qark si Tirana me shumë kandidatë. Unë besoj se do t’i kem votat e qytetarëve të Tiranës. Kam bërë një jetë aktive në politikë. Kam gjetur shumë pika të përbashkëta sa i takon kauzave si rritja dhe fuqizimi ekonomik i grave, mbrojtja ligjore e grave. Kam përkrahur edhe iniciativa qeveritare.
Çfarë veçantie ka fushata për një kandidat në Njësinë 9 të Tiranës?
Çupi: Unë tashmë jam në Njësinë numër 9, ku po bëj fushatën elektorale. Është rruga Don Bosko deri tek stacioni i trenit, rruga e burgut, qendra. Janë zona problematike. Këtu ku po flas jam në një zonë që ka probleme me ujë. Kanë problematika me legalizimet. Politikat fiskale janë më të rënda, qoftë për bizneset e vogla, ashtu edhe për shtresën e mesme. Ne kemi një program ku qytetarët mund të na votojnë.
Ju jeni duke bërë një fushatë pozitive, kështu jeni shprehur. Përse?
Çupi: Unë jam shquar gjithmonë për një ekuilibër politik, nuk kam bërë fushata negative. Unë jam përpjekur të bisedoj me qytetarët, të them çfarë do bëjë opozita, jo të tregojmë atë që nuk ka bërë qeveria.
/vizionplus.tv





