Nismën për të detyruar studentët e mjekësisë që të kryejnë 5 vite punë në Shqipëri para se të marrin diplomën, me qëllim frenimin e largimit të tyre, qeveria kërkon ta diskutojë dhe miratojë brenda dy javësh, me qëllim që në vitin e ri akademik të nisë zbatimi.

 

Për këtë arsye, projektligji kaloi me procedurë të përshpejtuar në seancë plenare, por diçka e tillë u kundërshtua nga deputetët e opozitës.

 

FLUTURA AÇKA

DEPUTETE E PD

 

“Duhen marrë masa që djemtë tanë mos të na ikin por ne duhet ta bëjmë atdheun tonë të dëshirueshëm kjo është një masë shumë ekstreme dhe nxitimi juaj është shumë i pavend. Është një masë drastike. Nuk është konsultuar me grupet e interesit. Nuk ka pse të vijë në parlament me kaq nxitim. Gjëja e parë që ndodh është shkelja e të drejtave të njeriut.”

 

Përballë akuzave të demokratëve, nga socialistët ishte Taulant Balla ai që mbrojti iniciativën, duke e quajtur këtë një investim publik për Shqipërinë.

 

TAULANT BALLA

KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

“Ne duam që të mos mungojë mjeku. Për këtë na kanë sjellë shqiptarët këtu. Jam i sigurt që i shihni njerëzit si vota. Na duhet të kemi 2.6 mjekë për 1000 banorë. Jo vetëm që e përshëndes vendimin e qeverisë për ta përfshirë këtë politikë të rëndësishme për ta kuptuar dhe ju. Na duhen mekanizma për të motivuar mjekët dhe për të plotësuar mungesat sipas nevojave. Është një investim publik dhe duhet t’i shërbejë qytetarëve.”

 

Por për deputeten Jorida Tabaku, projektligje të tilla me kaq rëndësi kërkojnë më shumë kohë për diskutim të gjerë.

 

JORIDA TABAKU

DEPUTETE E PD

“Këto reforma me forcë janë të destinuara të dështojnë. Ju me forcë mund ta miratoni edhe pas 2 javësh, ne kërkojmë që ky diskutim të zgjasë në kohë, séance e fundit parlamentare pas 2 javësh është tashmë shumë e ngarkuar. Ky ligj ka nevojë të diskutohet gjerësisht sepse ndryshon sistemin. Është e pamundur të diskutojmë dhe të japim kontribut nëse sillet kështu PArlamenti, përndryshe miratojini ashtu siç keni bërë gjithmonë.”

 

Nisma u prezantua një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë, i cili deklaroi se me miratimin e saj, studentët do të firmosin një marrëveshje për të punuar për një periudhë 5-vjeçare në spitalet shqiptare pas diplomimit dhe në këmbim, do të përjashtohen nga tarifat e shkollimit gjatë gjithë studimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *