Debate për “investimet strategjike” ! PS shtyn afatin deri në 2026, opozita: U shërben vetëm oligarkëve
Komisioni i Ekonomisë miratoi këtë të martë shtyrjen e afatit për ligjin për investimet strategjike deri në dhjetor të vitit 2026.
Kjo është hera e pestë që mazhoranca merr një vendim të tillë për zbatimin e ligjit, me argumentin se subjektet kanë ende interes për të investuar.
“Veç zgjatjes së afatit, çdo subjekt aplikues duhet të përjashtohet nga çdo mbështetje e posaçme që ofron ligji, kur është i dënuar apo nën hetim. Kemi një propozim të ri për sektorët që konsiderohen strategjikë, turizëm, bujqësi, zona me përparësi zhvillimi… ka kërkesa për projekte investimi edhe në sektorë të tjerë që nuk gjenden në këtë listë të ligjit aktual. Masa e vënies në dispozicion të bregut të detit, përdorimi i brigjeve detare, lumore, liqenore, lejohet me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe jo me VKM”, tha deputetja socialiste Pranvera Resuaj.
Por, nisma e qeverisë u kundërshtua nga opozita, që akuzoi se ky ligj është në shërbim të oligarkëve.
“Ligji është nisur si i përkohshëm në origjinën e tij dhe i është shtyrë afati 6 herë. Është ligji më grabitqar që një mazhorancë ka miratuar ndonjëherë, synimi ka qenë të ndahet plaçka e Shqipërisë, të jepet nën emrin investitor strategjik. Ti jepet pjesa e Shqipërisë atyre që janë lidhur me këtë mazhorancë. Kemi parë dhënien falas të tokave në bregdet… përfituesit kanë qenë zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë të PS, duke qenë në konflikt interesi. Këtë ligj nuk e përdorni për rritjen e mirëqenies për qytetarët, por për të zhvatur sa më shumë klientela e qeverisë”, tha deputeti i Pd, Edmond Spaho.
“Të kam parë në kafe me oligarkë, sipërmarrës që kolegët e tu i kanë anatemuar gjithë kohën. Ju jeni bërë antibiznesmen, anti…”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.
Nga viti 2016, kur u miratua për herë të parë ky ligj, dhe deri tani, janë trajtuar 117 projekte investimi, nga të cilat 55 kanë përfituar statusin investitor strategjik, ndërsa 29 janë në fazë vlerësimi.




