Politikani popullor Dashamir Shehi, në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, foli me sinqeritet për pengjet e tij, familjen dhe merakun më të madh që ka për fëmijët.
Shehi tha se mbase s’ka mbërritur aty ku dëshironte sa i përket karrierës, por ka fituar një familje të mrekullueshme.
Dashamir Shehi: Kush nuk ka peng nga jeta, rinia, mosha. Për historitë e humbura, për aty ku s’ke mbërritur dot. Jam shumë i lumtur me familjen time me martesën time. Ndoshta s’kam mbërritur aty ku doja, por familjen e kam fituar. Fëmijët i kam në Gjermani, punojnë. Si gjithë prindërit që i kanë fëmijët në emgiracion…çdo prind i do fëmijët para syve. Unë rri me shpresë që ndoshta të paktën një do kthehet. Edhe ne duam të jemi gjysh, të mbajmë një nip për dore.
Gjithashtu kishte një mesazh për rininë shqiptare, për të cilën tha se nuk është shumë aktive në jetën publike. Shehi u bëri thirrje të rinjve të angazhohen më shumë në politikë dhe në jetën publike të vendit, pasi ata kanë në dorë të ardhmen e vendit.
Dashamir Shehi: Më vjen keq që rinia nuk është shumë aktive në jetën publike. Pushteti në Shqipëri është përqendruar në shumë pak duar. Pushteti nëse është i administruar mirë, është një gjë që bën punë. Nuk bëhen punët nëse nuk ka vendimmarrje. Ti duhet të marrësh vendime në emër të së mirës së përbashkët.





