Departamentit amerikan i Shtetit ka publikuar raportin mbi klimën e biznesit në botë. Në pjesën për Kosovën, theksohet se bizneset vendore dhe ndërkombëtare e citojnë rregullisht korrupsionin, si një nga pengesat më të mëdha të Kosovës, për tërheqjen e investimeve.
“Kosova ka miratuar ligje të ashpra për të luftuar korrupsionin, por qeveria deri më tani, ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar, ndjekur penalisht, burgosur dhe konfiskuar asetet e individëve të korruptuar”, thuhet në raport.
Megjithatë, raporti thekson se përkundër faktit se Kosova është një nga vendet më të reja dhe më të varfëra në Evropë, ka shënuar ritme pozitive të rritjes ekonomike, mesatarisht pothuajse katër për qind, gjatë dekadës së fundit.
“Përderisa zbatimi i ligjit mbetet i dobët, ligjet dhe rregulloret janë në përputhje me përkrahjen dhe mbrojtjen e investimeve”, thekson raporti.
Raporti i Departmanetit amerikan të Shtetit, përmend një vargë arsyesh që e sfidojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, si integrimi ekonomik i kufizuar rajonal dhe globa, furnizimi jo i sigurtë me energji elektrike, sundimi i dobët i ligjit si dhe korrupsioni.
DASH, thotë se Kosova vazhdon të mbështetet në përkrahje të konsiderueshme financiare ndërkombëtare dhe remitancat (dërgesat e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit)./R.E.L