“Final 8”, faza e play off për të përcaktuar fituesin e ligës unike për hapësirën mbarëshqiptare në basketboll meshkuj, nisi me dominimin e ekipeve nga Kosova.

Trepça dhe Ylli, dominuan totalisht kundër Kamzës dhe Tiranës, sikurse ishte edhe pritshmëria, duke kaluar në gjysmëfinale ku presin të njohin tashmë rivalët e tyre.

Diferenca të mëdha mes ekipeve nga Shqipëria dhe atyre nga Kosova, çka  reflektohet në buxhete ndjeshëm më të mëdha financiare e si rrjedhim ekipe shumë më të organizuara dhe me sportistë më cilësorë, vendas dhe të huaj.

Trepça, një nga ekipet më të mira dardane prej vitesh e pati shëtitje ndeshjen e vet kundër Kamza basket. Ata i fituan të katërta periodat dhe e mbyllën sfidën me rezultatin 90 me 46, një diferencë gati dyfish në pikë.

Tek Trepça ishin pesë basketbollistë që shënuan mbi 10 pikë, por ai që spikati mbi të tjerët që Daniel Ixh me 16 pikë, 3 topa të kapur në tabele dhe 7 asist.

Trepça tashmë prêt të njohë rivalin e gjysmëfinales, ekip që do të dalë nga dueli i sotëm mes Besëlidhjes dhe Prishtinës.

Pak a shumë e njëjta histori edhe në sfidën tjetër çerekfinale mes Tiranës dhe Golden eagle Ylli. Këta të fundit fituan 92 me 56 . ishte një sfidë e cila në fakt dhuroi një pjesë të parë të gënjeshtërt, pasi u mbyll me fitoren 25 me 21.

Mirëpo ekipi nga Suhareka ndezi motorët dhe tregoi të gjithë potencialin e vet në periodën e dytë duke fituar më një diferencë të frikshme 31 me 9.

E tillë ishte edhe perioda e tretë ku ekipi nga Kosova fitoi 30 me 8, duke i lejuar vetes një neglizhencë në periodën e fundit iku u mundën 14 me 10 nga bardheblutë, por pa asnjë ndikim në rezultatin final.

Alonso Verge Xhunior bëri diferencën me 27 pikë, 9 kërcënime në tabelë dhe 9 asist. Ylli pret të njohë tashmë rivalin e vet që do të jetë një mes Pejës ose Teutës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *