Subscribe

Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për çmimet mjaft të larta të karburanteve në treg, me pasoja direkte të rënda në zhvillimin ekonomik te vendit. Në një deklaratë për mediat, thuhet se këto tarifa janë në kundërshtim të plotë me çmimet e ulëta të karburanteve prej një kohe të gjatë në tregjet botërore.

 

Vetëm në 5 mujorin e parë të 2017, thuhet në deklaratë, çmimi botëror i naftës ka rënë me 20%, pa asnjë pasqyrim në tregun shqiptar. Konfindustria vlerëson, se çmimi i lartë i karburanteve, bashkuar me cilësinë mjaft të dobët të tyre, përbën një arsye madhore, që rrit koston e prodhimeve dhe shërbimeve të industrive vendore dhe godet mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

 

Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrias Gjergj Buxhukut, është e papranueshme, që Shqipëria edhe pse është një vend me rezerva të konsiderueshme të naftës dhe vend me nivel të ulët të jetesës, sot është vendi me çmimin më të lartë të karburanteve në rajon dhe në vendin e 25 në shkallë botërore për shtrenjtësi sipas vlerësimit të agjencive ndërkombëtare të fushës.

 

Konfindustria vlerëson, se duhet të jetë objektiv strategjik i qeverisjes pas zgjedhjeve të 25 qershorit përmirësimi thelbësor i mënyrës së ndërtimit të funksionimit, vëzhgimit dhe rregullimit të tregut strategjik të karburanteve. Vlerësohet se tregu i karburanteve është më i madhi në ekonominë shqiptare me mbi 1 miliard euro/qarkullim vjetor dhe 10% te PPB dhe me ndikim te drejtpërdrejte në gjithë sektorët e ekonomisë kombëtare.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *