Aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga subjektet private vijon në Tiranë.
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ishte në zonën e Kombinatit ku ndërhyri përgjatë rrugës kryesore nga “Misto Mame” deri në kthesën e Vaqarrit me synim çlirimin e lulishtes qendrore dhe hapësirave përreth.
Nënkryetari i Bashkisë, Blendi Sulaj i cili ndoqi nga afër aksionin tha se ndërhyrja vjen pas një numri të madh ankesash nga banorët dhe se do të jetë pjesë e një plani afatgjatë për rikthimin e hapësirave publike.
“Ajo për të cilën jemi sot në Kombinat është sepse kemi një numër shumë të madh ankesash nga qytetarët, për lulishten kryesore të Kombinatit e cila është zënë me karrige, vazo, me kangjella, është parcelizuar në disa raste. Ajo për të cilën sigurojmë të gjithë qytetarët është se ky nuk është një aksion që ka nisur për dy muaj dhe mbaron. Është një aksion i cili ka nisur dhe do zgjasë për katër vite”, tha Sulaj.
Bashkia e Tiranës po vijon aksionet në lagje të ndryshme të kryeqytetit, me synim rikthimin e hapësirave publike për qytetarët dhe pastrimin e inerteve pas demolimit të strukturave të paligjshme.
/vizionplus.tv





