Çlirim Gjata: Paketa “Anti-KÇK” hedh poshtë reformën në drejtësi

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata deklaroi se paketa “Anti-KÇK” po hedh poshtë reformën në drejtësi. Në një intervistë për “Vizion +”, Gjata u shpreh se edhe ndërkombëtarët janë shprehur të dyzuar për këtë arsye.
“Ma gjeni një reagim që thotë që ky ligj është konform Kushtetutës. Ambasada amreikan ka treguar dyzim, edhe ajo e BE sepse kuptohet që me këtë akt normativ hidhet poshtë puna e tyre për reformën në drejtësi. Po të mos ishin këta ndërkombëtarë, ajo reformë nuk do të ishte bërë. Ky akt normativ ka hedhur poshtë këtë reformë në drejtësi. Asnjë lidhje nuk ka ky akt normativ me gjyqtarët dhe prokurorët.”
Ai renditi edhe disa arsye pse sipas tij, ligji special është antikushtetues. Për Gjatën, Rama po dublon Strukturën e Posaçme Antikorrupsion me këtë lëvizje për të shpëtuar nga drejtësia e re.
“Është një akt normativ dhe nuk mundesh që për këto lloj problemesh të miratosh me akt normativ. Akti normativ kalohet vetëm në raste tepër emergjente kur s’ke kohë të kalosh burokracitë parlamentare. Pse sot u kujtua? Sot u pa kjo emergjencë, ky përparim i krimit? Ky ligj ka kompetenca procedurale penale. Këto mund të ishin parashikuar në kodin e Procedurës Penale për ta votuar me 84 vota. Ai e shikon frikën në horizont nga institcuonet e reja të drejtësisë. Nuk dihet se çfarë po vjen nesër pastaj. Ai me këtë dublon SPAK, ndarja e pushteteve është copë-copë. Kryetari i SPAK i prokurorisë duhet të shkojë llogari te ministri i Brendshëm. Për çfarë e ka këtë? Për sekuestrimin e pasurisë? Këtu e kishte, pse nuk e bëri më parë?”




