Çështja e “McGonigal” vijon të krijojë “zhurmë” në politikën shqiptare. Kreu i PD Sali Berisha ka vijuar edhe sot me akuzar ndaj kryeministrit Edi Rama si dhe ka kërkuar hetim edhe për ambasadoren amerikane Yuri Kim.

 

Deputeti i PD Lefter Gështenja, në një intervistë për Vizion Plus me Roland Zilin tha se Rama përmes ish agjentit të FBI ka tentuar minimin e demokracisë, ndërsa shton se afera “McGonigal” është më e turpshme që ndodh në një vend anëtarë të NATO-s.

 

“Prej shumë kohësh gjithë bota mbarë kanë bërë publike atë që quhet afera më e turpshme e një vendi anëtar i NATO si Shqipëria ku kryeministri është përfshirë në një aferë korruptive me agjentin e FBI për eliminimin e opozitës. Kjo është hedhje në erë e demokracisë. Është një lëvizje që ndodh vetëm në një vend si Shqipëria dhe jo në një vend demokratik”.

 

Deputeti thekson se në kushtet kur emri i Ramës del 14 herë në akt-akuzën e ish agjentit të FBI, ai duhet të kishte dhënë përgjigje për këtë aferë në Parlament dhe më pas të dorëhiqej.

 

“Faktet janë bërë publike në mediat ndërkombëtare dhe është hera e parë që ndodh që emri i një kryeministri lexohet 14 herë që është akt akuza e ish agjentit të FBI. Një kryeministër normal, duhet të vinte në Parlament dhe duhet të tregonte të vërtetën. Një kryeministër duhet të jepte dorëheqjen. Nga zyra e Kryeministrit është marrë dosja për të nisur hetimin për kryetarin e PD. Ish drejtuesi i FBI ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe ka pasur kontakte edhe me persona të tjerë”.

 

Deputeti Geshtenja për Vizion Plus shprehu rezervat e tij për drejtësinë shqiptare. Ai tha se SPAK ende nuk e ka nisur një hetim penal për Ramën, edhe pse faktet janë bërë publike nga mediat ndërkombëtare dhe Gazment Bardhi ka depozituar një shkresë për këtë gjë.

 

“Edi Rama është i përfshirë në aferën për eliminimin e opozitës në Shqipëri. T’ia lëmë drejtësisë shqiptare dhe amerikane tashmë, edhe pse kam rezervat e mia. SPAK duhet të niste hetim penal për kryeministrin. PD përmes Bardhit ka dërguar në SPAK kërkesën për të nisur hetim për Ramën dhe sot ne nuk e kemi një të tillë”.

 

Por, ndonëse opozita ka bërë kërkesën për ngritjen e një komisionin hetimor për çështjen “McGonigal”, mazhoranca shprehet e vendosur për të mos e lejuar një gjë të tillë. Por për Gështenjën, kjo është shkelje kushtetuese, teksa thekson se kjo është hera e tretë që pengohet një nismë e tillë, e kërkuar nga ¼ e deputetëve të Kuvendit.

 

“Është rasti i tretë që Rama nuk lejon ngritjen e komisionit hetimor. I pari ishte për investimet strategjike, i dyti për udhëtimet e Ramës dhe i treti për McGonigal. Kjo është në shkelje të Kushtetutës. E ka kërkuar ¼ e parlamentit dhe duhet të ishte ngritur si komision hetimor. Në kushte normale, kur një njeri  është i pastër i hap rrugë ngritjes së komisionit hetimor. Drejtësia amerikane dhe mediat ndërkombëtare thonë që Rama është i përfshirë në këtë aferë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *