Subscribe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë certifikoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm me 50.28 për qind  të votave. Sipas renditjes së vendeve në parlament, partia e Albin Kurtit ka siguruar 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 19, Lidhja Demokratike 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë.

 

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha në fillim të mbledhjes se edhe pse në kushte shumë të vështira janë përmbushur të gjitha detyrimet ligjore për organizimin e zgjedhjeve.

 

VALDETE DAKA

KRYETARJA E KQZ-së

“Edhe pse puna e KQZ-së në këtë proces zgjedhor është shoqëruar me sfida të shumta, duke filluar me kohën e shkurtër në dispozicion për të organizuar zgjedhjet, por edhe me problematika që në të shumtën e rasteve padrejtësisht i faturohen KQZ-së, por edhe për shkak të pandemisë, mund të them se KQZ-ja ka arritur që të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Kërkoi nga deputetët e legjislaturës së ardhshme dhe subjekteve politike që t’i japin rrugën e duhur reformës zgjedhore. KQZ-ja është e gatshme për të dhënë kontributin e vet profesional në këtë reformë.”

 

Certifikimi i rezultateve i hap rrugën thirrjes së seancës për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, e cila duhet te zhvillohet brenda 30 ditëve. Pika e parë e Kuvendit të ri është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit që në bazë të Kushtetutës i takon automatikisht partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *