Në Tiranë zhvillohet sot dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve Diplo 2025 “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”. Ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë, si edhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar për integrimin evropian, diplomacinë ekonomike dhe sigurinë rajonale e globale.
CEO i “Concord Investment” dhe partneri kryesor i markës ndërkombëtare “Melia” në Shqipëri, zoti Artan Dulaku, ishte i pranishëm në panelin e diskutimit për zhvillimin e turizmit.
Në fjalën e tij, zoti Dulaku theksoi rëndësinë e shtimit të elementit të sigurisë në ofertën turistike shqiptare, duke sjellë në vëmendje statistikat që tregojnë se Shqipëria është ndër vendet me nivelin më të ulët të krimeve në Evropë, vetëm 4 për 100 mijë banorë.
Sipas tij, përveç natyrës, ushqimit dhe mikpritjes, turistëve duhet t’u komunikohet qartë se Shqipëria ofron edhe siguri, një faktor kyç për pushime të qeta dhe të besueshme.
CEO i “Concord Investment”, Artan Dulaku: Krahas shitjes së bukurisë natyrore, ushqimit, ambientit, ne duhet të fusim në menu një gjë që është shumë e rëndësishme dhe këtu sfidoj të gjithë trupën diplomatike, të më thotë kush është numri i krimeve për 100 mijë banorë. Sepse po të shikojmë statistikat e komunitetit evropian, rezulton që vendi i parë me krime më të ulëta në Evropë, me 4 për 100 mijë banorë është Shqipëria. Pra kjo është pjesë e asaj që ne duhet ta shtojmë në menunë tonë sepse është shumë e rëndësishme që t’i thuhet turistit se ti mund të udhëtosh në çdo cep të Tiranës apo qyteteve të tjera, në çdo orë. Turistët kanë nevojë për qetësi. Besoj që është diçka që mund të paketohet lehtësisht dhe ka vlerën e saj në menunë e tërë.
Zoti Dulaku, duke u ndalur shkurtimit te rrugëtimi i “Melia-s” në Shqipëri, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Turizmit si një faktor lehtësues për futjen e brandeve ndërkombëtare në tregun vendas. Ai theksoi se partneriteti me grupin spanjoll “Melia”, një ndër liderët globalë në industrinë e hotelerisë, ishte rezultat i një analize të kujdesshme të tregut, ku “Melia” tregoi vizion dhe gatishmëri për të investuar në një destinacion të ri si Shqipëria.
Sipas CEO-s së “Concord Investmet”, sfida aktuale është kalimi nga menaxhimi në investim të drejtpërdrejtë nga këto brande, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe për të luftuar sezonalitetin. Ai solli shembullin e “Melia-s” që tashmë operon nga 1 prilli deri më 25 tetor, krahasuar me disa vite më parë, kur sezoni në Durrës zgjaste vetëm një muaj. Po ashtu, zoti Dulaku kërkoi më shumë mbështetje për lehtësimin e infrastrukturës hyrëse dhe dalëse, ndërsa kritikoi frymën negative ndaj pasurive të paluajtshme në bregdet, duke theksuar se shumë prej tyre tashmë funksionojnë me të njëjtin standard si hotelet ndërkombëtare.
CEO i “Concord Investment”, Artan Dulaku: Duhet falenderuar ekipi drejtues i ministrisë së Turizmit edhe gjatë periudhës së tanishme, por edhe më parë. Ka qenë gjithmonë sinkron me kryeministrinë, elementë të tjerë të saj dhe na i bëri rrugën relativisht të lehtë. Shqipëria u vendos në hartë dhe pastaj pjesën tjetër duhet ta bënim ne në sektorin privat. Bëra një analizë të tregut dhe pak e dinë, por Spanja është vendi kryesor në hospitality. Ishte e logjikshme të shkonim në Spanjë, u munduam të seleksiononim mes 4-5 operatorëve “top” dhe më duhet ta konfirmoj që të paktën në gjykimin tonë, “Melia” ishte më mendjehapur ndaj eksperimentit në Shqipëri. Turizmi është një industri që konsumon, dhe do në çdo kohë të sjellë produkt të ri, të freskët. Sfida e madhe është që të bëjmë kërcimin, me të drejtë u përmend që janë 20 tentativa për të hapur hotele të “Melia-s”, por sfida jonë është që të fillojnë të shpenzojnë edhe nga lekët e veta, edhe duke u bërë investitorë.
Këtu do ishte kërcimi cilësor sipas meje që të mundet të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Një gjë tjetër që dua ta theksoj, që është e rëndësishme. Ne kemi një sfidë të madhe, Zoti na i ka bërë mbarë, por duhe t’ia bëjmë akoma edhe më mbarë vetes, që është sezonalieti. E vetmja që i jep zgjidhje kësaj pyetje të rëndësishme janë pikërisht këto “chain-et” ndërkombëtarë që futen dhe janë prezent në Shqipëri. Vetëm ata e mundin sezonalitetin, ne po punojmë në “Melia” nga 1 prilli deri më 25 tetor. Më parë, Durrësi fillonte më 15 korrik dhe mbaronte më 15 gusht. Kjo do të thotë zhvillim për zonën. Melia ka 40 milionë klientë të saj nëpër botë, 420 hotele në të gjithë botën. Duhet suporti, duhet lehtësuar sa më shumë hyrje-dalja në aeroport, hyrje-dalja nëpër struktura. Jam entuziast. Tregu është vetëm në rritje, s’ka filluar akoma, por do të doja të tërhiqja vëmendjen e një fryme negative që po shtohet ndaj pasurisë së patundshme në bregdet. Në shikim të parë duket sikur është joproduktiv, sikur konsumon vlera dhe ambiente, por të gjitha facilitetet që janë blerë dhe administruar nga shqiptarët, sot punojnë me të njëjtin sezonalitet si “Melia”./vizionplus.tv





