Në Parkun Kombëtar të Prespës është realizuar censusi vjetor i shpendëve dimërues dhe specieve të ndryshme që frekuentojnë liqenin, një proces i rëndësishëm monitorimi për vlerësimin e gjendjes së biodiversitetit dhe ecurisë së ekosistemit.
Sipas specialistit Klajdi Duro, të dhënat paraprake tregojnë se numri i shpendëve dhe larmia e specieve mbeten të njëjta me vitin e kaluar.
“Nga numërimi i deritanishëm rezultojnë shifra të ngjashme me një vit më parë, po ashtu edhe për sa i përket specieve. Kemi prani të llojeve si bajzat, rosat laramane apo rosat me katër sy”, tha Klajdi Duro.
Ai thekson se ruajtja e shpendëve është thelbësore, pasi janë pjesë e pandashme e ekosistemit të Liqenit të Prespës. Ndër faktorët që duhen monitoruar me kujdes janë shqetësimi njerëzor, ndryshimet klimatike dhe tjetërsimi i habitatit.
“Censusi i shpendëve dimërues kryhet pikërisht për të ndjekur ecurinë dhe ndryshimet e popullatave, duke i krahasuar me të dhëna shumëvjeçare, në mënyrë që të identifikojmë rënie apo ndryshime dhe të përcaktojmë shkaqet e tyre” , u shpreh Duro.
Nga ana tjetër, Vasil Male, përgjegjës i sektorit të menaxhimit në zonat e mbrojtura, bën me dije se numërimi është kryer në pesë pika kryesore të përhershme të liqenit.
“Krahasuar me vitet e tjera, jemi në të njëjtat shifra. Ndryshe nga herët e mëparshme, këtë vit kemi evidentuar praninë e katër individëve të mjelmës, si dhe species Mergus merganser, e cila konsiderohet e rrallë për këtë liqen”, tha Duro.
Ekspertët nënvizojnë se ndryshimet klimatike kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek shpendët migratorë, pasi ulja e nivelit të ujit dhe dalja e kallamishtes në tokë sjell humbjen e habitateve të përshtatshme për folenizim dhe jetesë.
/vizionplus.tv





