Subscribe

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe këtë herë ka vendosur të flasë pa doreza, duke i dërguar një mesazh të qartë të gjitha partive politike në vend, pas nisjes zyrtare të fushatës.

 

Por ndryshe nga apeli i vendeve të BE-se, të cilat një ditë më parë kërkuan vetëpërmbajtje, SHBA paralajmëron:

 

“Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qarta pritshmëritë dhe shpresat tona. Ne përsërisim se do t’i mbajmë udhëheqësit përgjegjës. Në këtë drejtim, është tërësisht e kuptueshme se ata që aktualisht janë në poste drejtuese kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interesat e vendit. Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo ndryshe përpiqen të  minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij.”

 

Ambasada amerikane, vec thirrjeve për partitë politike dhe drejtuesve të tyre për të siguruar që kandidatët të sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare, kishte dhe një apel për qytetarët

 

“Nxisim votuesit t’i mbajnë partitë dhe kandidatët përgjegjës, të marrin në shqyrtim zgjedhjet që kanë dhe të votojnë për ato parti dhe kandidatë të cilët ofrojnë të ardhmen më të mirë për Shqipërinë – një e ardhme në partneritet me Shtetet e Bashkuara, që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në familjen europiane si një demokraci e fortë dhe e begatë.”

 

Në fund të mesazhit, selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë nënvizon shpresën që gjithë këtë muaj, partitë, udhëheqësit dhe votuesit të sillen me dinjitet dhe, më e rëndësishmja, me respekt për këtë ushtrim më themelor dhe të rëndësishëm të demokracisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *