Subscribe

Mos minoni reformën në drejtësi, ajo duhet të vazhdojë me shumë se kurrë me vendosmëri në një kohë kur Shqipëria për përgatitet në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Ky është apeli i Shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera.

Përmes një deklarate publike, shefja e ONM-ës, i kujton klasës politike se ky nuk është momenti për të shmangur reformën e cila u miratua nga parlamenti shqiptar me votë unanime.

GENOVEVA RUIZ CALAVERA

Shefe e ONM-së

Në fazën aktuale, vendimtare për përparimin e vendit në udhën e integrimit evropian, kjo reformë nuk duhet të minohet nga sulme të ndryshme. Kjo nuk është koha për ta shmangur reformën dhe arritjet e saj të shumta deri më tani, siç është krijimi i të gjitha institucioneve të reja gjyqësore, të cilat funksionojnë mirë tashmë prej kohësh.

Duke renditur si arritje krijimin e gjithë institucioneve gjyqësore, Calavera, sjell si shembull funksionimi rastin e hetimit të Luan Dacit, njërit prej anëtarëve të Kolegjit të Apelimit.

GENOVEVA RUIZ CALAVERA

SHEFE E ONM-së

Hetimi aktual në rastin e njërit prej anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, dhe pezullimi i mëpasshëm nga detyra, nuk duhet të jetë një justifikim për të sulmuar reformën gjyqësore, përkundrazi, duhet të shihet si prova më konkrete që sistemi ka filluar të funksionojë në mënyrë efektive.

Pa paragjykuar rezultatin e përfundimtar të hetimit, shefja e ONM-së thotë se kjo është prova për një sistem të pavarur drejtësie dhe se askush nuk është mbi ligjin.

GENOVEVA RUIZ CALAVERA

Shefe e ONM-së

Muajt ​​e ardhshëm do të jenë thelbësorë në kontekstin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE dhe zbatimi i vazhdueshëm i reformës gjyqësore do të jetë kyç. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me kryerjen e punës teknike, por ka të bëjë edhe me angazhimin politik. Kjo është arsyeja pse të gjithë aktorët në Shqipëri duhet të vazhdojnë të garantojnë kushtet e nevojshme politike që reforma të shpaloset pa probleme. Nuk ka asnjë arsye për të vënë në pikëpyetje bazat e procesit të reformës, sado e vështirë të jetë dhe, po, në disa raste edhe sfiduese.

Në mbyllje të qëndrimit të saj publik, edhe një herë Genoveva Calavera këmbëngul në vazhdimësinë e reformës në drejtësi, sepse këtë kërkon edhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga arritjet e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *