Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj, ndodhet në Shkup, ku po zhvillon një vizitë zytare dy ditore. Këtë vizitë, kryediplomati Cakaj e nisi me një takim me homologun e tij, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Në fokus të takimit të zhvilluar ishin diskutime mbi mbajtjen e mbledhjes së ardhshme ndërqeveritare me theks të veçantë në vazhdimin e punëve për ndërtimin e rrugës së Arbërit, interkoneksionit Manastir-Elbasan e menaxhimit të mirë të Liqenit të Ohrit.

Gjithashtu, homologët theksuan domosdoshmërinë e punës së përbashkët për të avancuar më tej me procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Duhet thënë se Shqipëria llogarit fort mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për kandidaturën e saj si anëtare jo e përhershëme në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023”,  u shpreh Cakaj.

Më tej, Cakaj shprehu se me ministrin Osmani ndanë të njëjtën pikëpamje, atë të dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përfundojë qartë dhe prerë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *