Bylykbashi dorëhiqet nga drejtimi i PD-së i qarkut në Durrës: Rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti si drejtues i qarkut të Durrësit.
Gjatë fjalës së tij në Foltoren e Ripërtëritjes, Bylykbashi theksoi se ia ka dorëzuar kryetarit të partisë dorëheqjen e tij rreth një javë më parë.
“Kjo është hera e fundit që ju flas si drejtues politik i qarkut të Durrësit. Kam dorëzuar detyrën rreth një javë më parë kryetarit të partisë, sepse mendoj se vetëm në këtë formë mund ta çojmë përpara përtëritjen dhe shumëfishimin e forcave tona.”, u shpreh Bylykbashi.
Ai foli gjithashtu rreth sfidave që ka hasur në qarkun e Durrësit, sidomos në zgjedhjet e fundit, duke pretenduar se PD-ja ia doli të mos bëjë kompromis pavarësisht presionit dhe ofertave nga grupet kriminale.
“Kemi vetëm një rrugë, rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Në 19 vite kam marrë leksione të jashtëzakonshme nga Berisha; një ndër ta ishte: ‘Qëndro i palëkundur në parime!’. Me këtë jemi përballur gjithë këto vite. Edhe kur oferta dhe presioni kanë qenë të jashtëzakonshme në këtë kryeqytet, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit në bashkinë e dytë më të madhe në vend, ne nuk bëmë kompromis dhe dhamë rezultatin që doli. Me këtë devizë ne do të fitojmë zgjedhjet e ardhshme.”, tha ai.




