Subscribe

Mes tymit e flakëve dhe dhjetëra forca të gardës së republikës, socialistët miratuan buxhetin dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Seanca zgjati vetëm 4 minuta, duke shënuar seancën më të shkurtër që parlamenti ka regjistruar ndonjëherë për miratimin e buxhetit.

 

Si asnjëherë më parë dhjetëra forca të gardës së republikës ishin vendosur brenda sallës së parlamentit për të penguar opozitën që të bllokonte sallën e kuvendit. Dhe incidentet nuk munguan. Deputetët demokratë vendosën një barrikadë me karrige tek foltorja e kuvendit dhe ndezën tymuese, nje prej te cilave mori flake

 

Pavarësisht përpjekjeve të opozitës, mazhoranca shmangu diskutimet duke miratuar buxhetin dhe paketën fiskale. Situata e tensionuar u reflektua edhe tek kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla, e cila deklaroi se buxheti u miratua me 83 vota, kur në fakt pro tij votuan vetëm 73.

 

Edhe pse opozita dështoi të bllokonte miratimin e buxhetit, ish-kryeministri Berisha e cilësoi seancën e sotme një fitore të PD.

 

SALI BERISHA

“Mos i shihni si flakadanë, por si një mjet që dogji procedurën antikushtetuese. Ata flakadanë dogjën procedurën antikushtetuese të shumicës.”

 

GAZMENT BARDHI

“Hajdutet më mandat parlamentari i kanë votat për të miratuar ligjet. Ne s’kemi forcë kartoni për t’i ndalur, por beteja jonë është për t’i treguar që ky nuk është parlamenti që përfaqëson interesat e tyre.”

 

Fitore të mazhorancës e cilësoi këtë seancë edhe kryetari i grupit parlamentar Bledi Çuçi

 

BLEDI CUCI

“Nuk do ta lëmë Shqipërinë pa buxhet, nuk ka krizë Shqipëria krizë është opozita, PD-ja”

 

Opozita ka paralajmëruar se çdo seancë do të ofrojë këtë pamje, nëse nuk plotësohen kërkesat e saj lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore. Por në emër të mazhorancës Çuçi sqaroi se këto kërkesa duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, duke i përcjellë një mesazh edhe kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili publikisht deklaroi se komisionet hetimore nuk ndërhyjnë në punën e Prokurorisë speciale.

 

BLEDI CUCI

“Ai është një opinion krejt personal, drejtuesi i SPAK-ut të bëjë drejtuesin e SPAK-ut, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të bëjnë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.”

 

Votimi nen për nen dhe në tërësi i buxhetit dhe paketës fiskale është caktuar të zhvillohet në datën 7 dhjetor, e nëse nuk ndryshon asgjë në marrëdhëniet mes mazhorancës e opozitës, skenat e sotme pritet të përsëriten .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *