Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, sqaroi se në vitin 2026 nuk do të ketë rritje taksash.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, z. Yzeiraj u shpreh se me buxhetin 2026, arsimi ka shkuar mbi 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mjekësia është thuajse 3%.
Sipas zv.ministrit, i gjithë buxheti është në nivelet më të larta historike për sa i përket PBB-së, teksa theksoi se është arritur niveli 31% i PBB-së.
INTERVISTA E PLOTË:
Opozita vë në dukje se buxheti është depozituar në Kuvend i pashoqëruar me një paketë fiskale. Pra, për opozitën, kjo është një anomali. Për qeverinë nuk është. Pse?
Yzeiraj: Nuk gjykojmë që është një problem. E para, sepse një sërë elementesh po i rakordojmë edhe me Komisionin Evropian, dhe të gjitha elementet e përfshira në atë që quhet paketa fiskale janë elemente që bëjnë ndryshime jo thelbësore të nivelit të taksave. Përkundrazi, kemi premtuar që në 2026-ën nuk do ketë taksa të reja, nuk do ketë rritje taksash. Pra, ne jemi në gjendje të parashikojmë me një siguri goxha të madhe nivelin e të ardhurave që ne do të kemi, e për këtë arsye dhe nivelin e shpenzimeve që korrespondon.
Përsëri, opozita pretendon që qeveria ka premtuar më herët se do të rritet në masën 5% të Prodhimit të Brendshëm buxhetimi për sektorë si mjekësia dhe arsimi. Ndërkohë, mjekësia mbetet, sipas opozitës, në nivelin 2.9% të prodhimit kombëtar, kurse arsimi në nivelin 2.5%. Komenti juaj?
Yzeiraj: Arsimi ka shkuar mbi 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mjekësia është thuajse 3%. Të dyja këto shifra, pra niveli i shpenzimeve për sa i përket PBB-së, në fakt, është në nivelet më të larta historike. I gjithë buxheti është në nivelet më të larta historike për sa i përket PBB-së. Kemi arritur nivelin e 31% të PBB-së. E gjitha kjo sepse po arrijmë të mirë administrojmë të ardhurat dhe po arrijmë të mbledhim të ardhura më shumë se 29% e PBB-së, që është po ashtu një nivel i lartë historik. Opozita në të shkuarën ka bërë premtime të tilla kur ka qenë vetë në qeverisje, dhe niveli i të ardhurave përmbi Prodhimit të Brendshëm Bruto vërtitej në nivelin 25-26% e PBB-së. Pra, është e qartë që është jashtëzakonisht e vështirë të rrisësh nivelin e të ardhurave për sa i përket PBB-së pa bërë rritje të konsiderueshme të taksave. Ne e kemi bërë këtë kryesisht nëpërmjet mënyrës së administrimit dhe zgjerimit të bazës tatimore.
Dhe një tjetër kritikë e opozitës është që PPP-të mbeten ato që “gllabërojnë” më shumë po përdor një term të masës nga buxheti i shtetit, nga Projektbuxheti i shtetit për vitin e ardhshëm. Opozita ofron disa shifra, 125 milionë euro nga buxheti do të shkojnë përsëri për të paguar PPP-të, dhe ky fond, sipas opozitës, është 2.5 herë më shumë se totali i gjithë ndihmës ekonomike për rreth 60-61,000 familje që jetojnë në varfëri ekstreme. Përsëri kërkojmë komentin tuaj.
Yzeiraj: E para, krahasimet çalojnë, sepse shumica e pagesave që kanë të bëjnë me projektet në kontrata koncesionare janë projekte që kanë investime të konsiderueshme. Prej vitesh, në ligjin organik të buxhetit, ligjin themelor që menaxhon pikërisht menaxhimin e sistemit financiar në Shqipëri, ne kemi vendosur një rregull fiskal që pagesat për kontratat koncesionare të mos kalojnë 5% të të ardhurave tatimore të një viti të mëparshëm. Në Buxhetin 2026, këto pagesa do të jenë vetëm 1.7% e të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Pra, një nivel relativisht i ulët, shumë më pak se ç’ka qenë rregulli fiskal që është arritur edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke i bërë këto pagesa tërësisht të menaxhueshme brenda kuadrit të përgjithshëm të buxhetit.
/vizionplus.tv





