Subscribe

Gjykata e Elbasani ka lënë në burg 11 personat e arrestuar në mega-operacionin ‘Kurrë mos harro’.  Gjyqtarja pranoi kërkesën e prokurorisë së elbasanit për të vendosur arrestimin me burg për të gjithë anëtarët e bandës kriminale të drejtuar nga Laert Haxhiu.

 

Organi i akuzës tha në seancë se ka prova të forta që tregojnë se këta persona janë autorë të disa vrasjeve, shpërthimeve të tritolit, grabitje me dhunë etj.

 

Për masë sigurie ka dalë edhe i penduari i drejtësisë Artan Tafani, i cili pasi u arrestua për grabitjen e 30 mijë eurove të pikës së këmbimit të parave në Astir, ka rrëfyer krimet të tjera tronditëse nga ky grup. Në dëshminë e tij janë zbardhur 6 vrasje: në Lushnje, Tepelenë, Korçë dhe në Greqi.

 

Ai ka treguar se vrasjet janë kryer për prishje pazaresh, hakmarrje, por në disa raste edhe të porositura nga persona të tjerë. Jo vetëm kaq, por referuar dëshmisë së Tafanit, në shënjestër të Laert Haxhisë kanë qenë edhe prokurorë të SPAK.

 

Sipas tij, Laert Haxhiu ka dashur që të ekzekutojë prokuroren e Posaçme Doloreza Musabelliu, për shkak se kishte hetuar dy miqtë e tij, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, si dhe vetë atë për masakrën e vitit 2017 në Lushnje.

 

Prokuroria është ende në hetime për të zbërthyer nëse ky grup që funksiononte për vrasje me pagesë ka edhe persona të tjerë të përfshirë në vrasje të tjera.

 

Laert Haxhiu, i konsideruar si koka kriminale e këtij grupi aktualisht ndodhet në Greqi dhe pritet që shteti fqinj ta ekstradojë atë në vendin tonë pas kërkesës nga pala shqiptare, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *