Subscribe

Presidenti bullgar, Rumen Radev ka vulosur me një “Jo” të fortë pritshmëritë e Shkupit për reflektim në heqjen e vetos. Nga samiti i liderëve të unionit në Bruksel, Radev ka deklaruar se Sofja pret rezultate konkrete në bisedimet mes palëve duke u siguruar që të hiqet dorë nga hajdutëria e historisë.

 

RUMEN RADEV

PRESIDENT I BULLGARISE

 “Nuk do të lejojmë që të na lidhen duart me lobim dhe me presion politik apo mediatik. Nuk do të themi “po” para se të shohim një mekanizëm të qëndrueshëm për shkuljen e tregimit të shtrembëruar dhe sjelljes ofenduese ndaj Bullgarisë që nga librat, muzetë, përmendoret, mediat dhe politika shtetërore. Nuk mund të them po para se të jem i bindur se fqinji ynë nuk do ta ndërtojë identitetin e tij me vjedhjen e historisë bullgare.”

 

Qëndrimi i presidentit bullgar pason vendimin e këshillit të çështjeve të përgjithshme pak ditë më parë, ku 26 shtetet anëtare pranuan se Tirana dhe Shkupi kanë përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare por zgjidhja e mosmarrëveshjeve mbi identitetin historik midis Shkupit dhe Sofjes, mbetet një kusht që rrjedhimisht ka penalizuar edhe Shqipërinë.

Zyrtarët më të lartë sllovenë kanë deklaruar se çështja e zgjerimit do të marrë një fokus të rëndësishëm gjatë presidencës së këshillit, duke nisur nga 1 korriku por përpara zgjedhjeve në Bullgari, në mesin e muajit të ardhshëm, vështirë të ketë progres në negociata.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shprehet se integrimi europian nuk mund të mbetet peng i marrëdhënieve dypalëshe ndërsa kryeministri Rama e konsideron vendimmarrjen e unionit, një dështim të radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *