Subscribe

Pas revokimit të licencave për subjektet “Microcredit Albania” dhe “Final”, të akuzuar për skemë mashtrimi me kreditë, Banka e Shqipërisë konfirmon për “Vizion Plus” se ka dërguar në ambientet e dy shoqërive punonjësit e saj, të cilët do të ndjekin procedurat e mëtejshme.

Përmes një emaili zyrtar, Banka Qendrore sqaron klientët e “Microcredit” dhe “Final” se për çdo ankesë apo kërkesë që kanë, pas paqartësisë së krijuar se çfarë do të ndodhë me kreditë e tyre pas heqjes së licencave, mund të drejtohen në rrugë zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë.

“Banka e Shqipërisë ka alokuar tashmë punonjësit e saj pranë ambienteve të këtyre subjekteve. Në rast se klientët kanë ankesa apo kërkesa specifike lidhur me detyrimet ndaj këtyre dy subjekteve, apo për mënyrën si do të operohet më tej, mund t’i depozitojnë ato me shkrim pranë punonjësve të Bankës së Shqipërisë në vend, ose drejtpërdrejt në Bankën e Shqipërisë nëpërmjet adresës [email protected] dhe këto ankesa/kërkesa do të shqyrtohen dhe do të adresohen në çdo rast”, tha Banka e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë po kryen verifikimet e nevojshme dhe pas saktësimit të detajeve, do të dalë me një njoftim të dytë sesi do të veprohet me kreditë e pashlyera që kanë në regjistra “Microcredit Albania” dhe “Final”.

Ky vendim i takon Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ndërsa ekspertët janë të mendimit se në këtë rast do të zbatohet e njëjta rregullore siç ndodh kur një bankë e nivelit të dytë falimenton dhe kreditë apo depozitat e saj i kalojnë një banke tjetër. /vizionplus.tv

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *