Nga Mimoza Ibra
Banka e Shqipërisë ka zyrtarizuar këtë të mërkurë rregulloren që kufizon dhënien e kredisë konsumatore nga institucionet financiare jo banka. Kriteret e përcaktuara në këtë rregullore do të sjellin mbrojtje të individëve, duke i penguar ata të marrin dy kredi njëherësh.
“Në mbledhjen e sotme kemi bërë disa ndtryshime në rregulloren për menaxhimin e riskut të kredisë në institucionet financiare jobankare, lidhur me mbrojtjen e konsumatorit, në raport me një analizë më të mirë financiare, në raport me disa kufizime që kanë të bëjnë me moshën e kredimarrësve dhe në raport me disa elementë që kanë të bëjnë me numrin e kredive, pra nuk mund të marrin më shumë se dy kredi njëherësh, nuk mund të ekspozohen më shumë sesa duhet”, deklaroi Sejko.
Po ashtu, institucionet financiare jo banka do të kalojnë në një filtër më të hollësishëm të ardhurat e tyre mujore të kredimarrësve dhe aftësinë e tyre paguese.
“Do tu kërkohet këtyre institucionevec që të përshtasin edhe rregulloret e tyre të brendshme në funksion të ruajtjes së kredimarrësve nga mbingarkesa me borxh të panevojshëm. Qëllimi është mbrojtja e huamarrësve por edhe mbrojtja e vetë jkëtyre institucioneve nga kredi problematike”, u shpreh Sejko.
Kjo rregullore e parë pritet të pasohet edhe me një paketë masash të tjera sepse paralelisht Banka e Shqipërisë po punon me Bankën Botërore për të gjetur një mekanizëm më të fortë mbrojtës.
Ndryshimet e miratuara nga BSh, që hyjnë në fuqi nga 1 janari 2025, pritet të kenë një impakt në treg, duke kufizuar ndjeshëm individët që do të kenë të drejtë të marrin një kredi. /Vizionplus.tv/





