E diel, 15 Nëntor 2026 Lajmet e Fundit dhe Moti deri në 23:30 Në vijim ora 23:30: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Brukseli rrit presionin ndaj Moskës: Në prag të paketës së 18-të të sanksioneve

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur sot se, ndonëse Bashkimi Evropian sapo ka miratuar paketën e 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, tashmë është në përgatitje një paketë e 18-të, e cila pritet të përfshijë masa edhe më të ashpra ndaj Moskës.

“Në këtë moment, është e domosdoshme të rrisim presionin ndaj Rusisë për të arritur një armëpushim,” deklaroi ajo përmes një postimi në platformën X, pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Vandevoll, theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë. Ai vuri në dukje se, për aq kohë sa presidenti rus Vladimir Putin nuk tregon vullnet për negociata serioze, vendet evropiane janë të përgatitura të përshkallëzojnë më tej masat ndëshkuese.

Duke folur nga Brukseli, gjatë një takimi me homologët e tij të Bashkimit Evropian, Vandevoll shprehu zhgënjimin e Perëndimit me qëndrimin e pandryshuar të Moskës. “Është tejet zhgënjyese të shohësh se Rusia nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt paqes. Na duhet të reagojmë,” tha ai, duke iu referuar mungesës së një armëpushimi të menjëhershëm dhe pa kushte nga ana e Kremlinit.

Zyrtari gjerman nënvizoi gjithashtu pritjet e qarta nga ana e Uashingtonit: “E kemi bërë të ditur vazhdimisht se ajo që presim nga Rusia është një armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte. Po ashtu, presim që aleatët tanë amerikanë të mos e tolerojnë mungesën e këtij angazhimi nga Moska.”

Vazhdo të lexosh

Reklamë