Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku akuzon kryeministrin Edi Rama se nuk ka mbajtur asnjë premtim në 7 vite qeverisje.

Sipas saj, sot shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në rajon dhe se kreu i qeverisë e ka shndërruar vendin me rritjen më të madhe të taksave. Ajo theksoi se ideatori dhe zbatuesi i krizës që ka pushtuar vendin është vetëm Rama.

“Asnjë premtim i ri apo i vjetër nuk e shpëton dot Edi Ramën nga revolta e shqiptarëve që sot janë më të varfër se kurrë. Qytetarët me xhepa të zbrazur dhe pa asnjë mundësi për të jetuar nuk gënjehen dot sepse e kanë të qartë se ideatori dhe zbatuesi i kësaj krize është RAMAVIRUSI. Në 7 vite qeverisje Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim me të cilat u mori votën qytetarëve. Nuk hapi 300 mijë vende pune por largoi 300 mijë shqiptarë në emigrim. Nuk e uli çmimin e energjisë, sot shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në rajon. Nuk e uli çmimin e naftës as për bujqësinë as për përdoruesit e tjerë, por rriti taksat dhe sot shqiptarët paguajnë më shtrenjtë se çdo vend tjetër. Nuk i uli taksat për 90% të shqiptarëve por i rriti taksat dhe tarifat për 100% të tyre, duke u shndërruar vendi me rritjen më të madhe të taksave. Nuk rriti pagat dhe pensionet por rriti çmimet, taksat dhe tarifat. Edi Rama ka provuar në 7 vjet që bën të kundërtën e asaj që premton.”

Për Tabakun, kreut të qeverisë nuk i dhimbsen qytetarët e tij dhe se mendon vetëm se si të mbrojë karrigen.

“Sot rinisi avazin e premtimeve a thua se nuk ishte ky në pushtet tash 7 vjet. Edi Ramës nuk i dhimbsen shqiptarët. Ai mendon vetëm si të mbrojë karrigen e tij dhe oligarkët që e mbajnë në pushtet. Asnjë shqiptar nuk e beson më Edi Ramën që në ditët më të vështira për shqiptarët bredh nëpër Europë me charter luksoz dhe të nesërmen bën premtime të ngjashme me ato të 7 viteve më parë. Asnjë premtim apo cirk shëtitës me regji qendrore nuk e shpëton më këtë kryeministër dhe këtë qeveri nga ndëshkimi që shqiptarët do t`i japin me votën e tyre.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *