Bota kundër Trump për Gazën, BE: I përket palestinezëve, duhet të jetojnë aty

Propozimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me Rripin e Gazës ka sjellë një sërë reagimesh.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock deklaroi se Rripi i Gazës i përket palestinezëve dhe dëbimi i tyre do të ishte i papranueshëm.
“Popullsia civile e Gazës nuk duhet të dëbohet dhe Gaza nuk duhet të pushtohet. Është e qartë se Gaza , ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor , i përket palestinezëve. Ato përbëjnë bazën për një shtet të ardhshëm palestinez. Nuk duhet të gjendet zgjidhja mbi kokat e palestinezëve”, tha Baerbock.
Shefi i diplomacisë së Britanisë së Madhe, David Lammy u shpreh se palestinezët duhet të kenë një të ardhme në vendin e tyre.
“Ne kemi qenë gjithmonë të qartë në besimin tonë se duhet të shohim dy shtete. Ne duhet t’i shohim palestinezët të jetojnë dhe të përparojnë në vendlindjet e tyre në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, tha Lammy.
Edhe Turqia e quajti propozimin të papranueshëm.
“Zhvendosja e palestinezëve nga Gaza ishte diçka që as ne dhe as rajoni nuk mund ta pranojmë. Është e gabuar edhe ta sjellësh atë për diskutim”, tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
Hamasi ndërkohë e ka cilësuar planin si racist që synon eliminimin e kauzës palestineze.
Sakaq Arabia Saudite ka deklaruar se nuk do të vendosë lidhje me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez, ndërsa theksoi se është i panegociueshëm qëndrimi ndaj palestinezëve.
Kina, Rusia, Spanja dhe Irlanda po ashtu kanë mbështetur zgjidhjen me dy shtete.




