Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga Bosnjë e Hercegovina pavarësisht se kjo e fundit nuk e lejon një gjë të tillë për shkak të kundërshtimit nga entiteti serb. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti në samitin e procesit të Berlinit.
“Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Kurti.
Marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor është arritur në procesin e Berlinit në vitin 2022, por ende qytetarët e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës duhet të pajisen me viza për të udhëtuar në secilin shtet.
Në vëmendje të procesit të Berlinit që po mbahet në kryeqytetin gjerman ishte edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se do të angazhohet personalisht në proces, ndërsa u bëri thirrje të dyja vendeve të mos lejojnë që e kaluara të pengojë rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë.
Kancelari gjerman theksoi se Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij, ndërsa nënvizoi rëndësinë e zhbllokimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA./vizionplus.tv




