10 ditë pasi rezultoi pozitiv ndaj COVID-19, kryeministri britanik Boris Johnson është shtruar në spital pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Megjithatë Johnson vazhdon të qëndrojë në krye të ekzekutivit. Mbretëresha Elizabeta e II-të i është drejtuar kombit, në fjalimin e saj të katërt qëkurse ka marrë fronin. Ajo ka bërë thirrje për disiplinë dhe vendosmëri në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

 

“Shpresoj se në vitet e ardhshme të gjithë ne do të jemi në gjendje të krenohemi me mënyrën se si i jemi përgjigjur kësaj sfide të tmerrëshme, duke u ndërgjegjësuar për të ndenjur në shtëpi dhe të distancohemi përkohësisht. Dua t’ju siguroj se nëse mbetemi të bashkuar dhe të vendosur, atëherë do ta dalim me sukses.”

 

Edhe një djalë 5 vjecar humbi jetën nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa në të gjithë vendin numërohen rreth 5 mijë viktima dhe 48 mijë të infektuar. Ndërkohë në Francë dy ditët e fundit ka patur më pak të infektuar por ende nuk mund të flitet për një situatë të qëndrueshme. Dhjetra pacientë janë transferuar në spitalet më pak të populluara në perëndim të vendit. Deri më tani janë regjistruar më shumë se 8 mijë viktima dhe rreth 93 mijë të infektuar.

 

Situata është alarmante edhe në Gjermani ku numri i pacientëve me koronavirus i ka kaluar 100 mijë ndërsa 1584 persona kanë humbur jetën. Një prift ka menduar një mënyrë origjinale për ti patur të pranishëm besimtarët në kishë, tashmë virtualisht.

Zvicra, Belgjika dhe Hollanda gjithashtu kanë njohur rritje të shifrave këtë javë ndërsa në Irlandë ku janë identifikuar rreth 5 mijë të infektuar dhe 158 të vdekur, kryeministri i vendit ka vendosur ti bashkohet bluzave të bardha një herë në javë. Leo Varadkar ishte mjek përpara se të zgjidhej në krye të ekzekutivit.

 

Austria është vendi i parë në Europë që ka vendosur një plan dalje nga izolimi duke filluar gradualisht me dyqanet e vogla më 14 prill. Kancelari Sebastian Kurz kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë distancimin fizik duke u shprehur optimist se më 1 maj mund të hiqen më shumë masa kufizuese.

 

Fatmirësisht Italia dhe Spanja kanë raportuar më pak të vdekur dhe të infektuar në krahasim me ditë më parë por të dyja vendet me bilance lufte, vijojnë të jenë në izolim duke zbatuar me forcë masat e distancimit social. Qeveria spanjolle po synon testimin në masë të punonjësve në sektorë thelbësorë për të identifikuar të infektuarit pa simptoma. Ndërsa në Italinë fqinje 87 mjekë e kanë humbur betejën me sëmundjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *