Ministri i Financave, Petrit Malaj reagoi pas kërkesës së Shoqatave të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve për të zhbllokuar pagat e magjistratëve.
Malaj sqaroi se pagat nuk janë bllokuar, duke kërkuar nga KLGJ dhe KLP që të dërgojnë listëpagesat për muajin gusht sipas metodologjisë që është aktualisht në fuqi.
Në një reagim për gazetaren e Vizion Plus Blerina Cene, gjyqtarët shprehen veprimi i degës së thesarit është antikushtetues dhe përbën veprën e shpërdorimit të detyrës.
“Është qëndrim antikushtetues dhe mosveprimi i organeve të ngarkuara me ekzekutimin e pagave tona (degët e thesarit dhe organet eprore) përbën shpërdorim detyre”, shprehen gjyqtarët.
Ministri i Financave u shpreh ditën e sotme:
“Ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ministria e Financave, as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhëra që vijnë nga autoritete të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar”.





