Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka intensifikuar kontrollet duke blinduar rrugët e qytetit. Postblloqet policore janë ngritur paralelisht me Beratin edhe në të katër bashkitë e tjera të qarkut. Në qendër të Beratit, por edhe në të gjitha pikat hyrëse e dalëse të tij janë vendosur që prej pasdites së të enjtes postblloqe me forca të shumta policore.

 

Pjesë e tyre janë bërë të gjithë sektorët e kësaj drejtorie, duke filluar që nga inspektorët e krimeve e deri tek ata të qarkullimit rrugor. Masat e ndërmarra nga DVP Berat kanë si qëllim kapjen e personave në kërkim, uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë rrugore. Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrrolluar edhe personat që drejtonin atomjetetet,nëpërmjet identitetit të tyre, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat a në qytete të tjera.

 

Gjatë kontrrolleve janë verifikuar edhe dokumentacionet e mjeteve si dhe lejet e drejtimit. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se,vetëm në dy ditët e para të këtij aksioni janë kontrrolluar rreth 100 automjete dhe janë vendosur 80 masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë rrezultuar me mangësi në dokumentacion dhe me shkelje. Po kështu,gjatë këtij aksioni, policia ka ushtruar kontrroll fizik për armë, drogë e sende të tjera të kundraligjshme mbi 145 shtetas që kanë kaluar me automjete në postblloqet e ngritura.

 

Të njëjtat burime konfirmojnë se postblloqet policore do të vijojnë të qëndrojnë disa ditë me radhë në rrugët e qarkut të Beratit. Kontrollet policore nuk janë përqëndruar vetëm në rrugët e qytetit, por edhe në bare e lokale, që dyshohen për ushtrimin e veprimtarive të paligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *