Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ka reaguar nga burgu lidhur me zhvillimet e fundit në bashkinë e Himarës.

Sot Blerina Balaj u komandua si drejtuese e përkohshme e bashkisë Himarë deri në zgjedhjet e reja.

Lexo edhe :

Related Posts

Për Belerin zgjedhja e Balës është një lëmsh i krijuar me kontributin e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme kundër korrupsionit, të cilët nuk kanë kurajë t’i thonë JO kryeministrit Edi Rama. Asnjë ligj dhe asnjë nen i Kushtetutës nuk e parashikon këtë që po ndodh në Bashkinë Himarë, thotë Beleri.

 Reagimi i Belerit

Një lëmsh juridik i pamundur për t’u zgjidhur. Lëmsh i krijuar me kontributin e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme kundër korrupsionit, të cilët nuk kanë kurajë t’i thonë JO z. Rama.

Asnjë ligj dhe asnjë nen i Kushtetutës nuk e parashikon këtë që po ndodh në Bashkinë Himarë. Neni 61 i ligjit 139/2015 që trumbeton prefekti nuk zgjidh ndërprerjen e parakohshme të një mandati të mbaruar me kohë. Asnjë praktikë e mirë evropiane, të cilave z. Rama iu referua, nuk thotë se kryetari i bashkisë caktohet nga partia humbëse e zgjedhjeve për kryetar bashkie. Asnjë praktikë e mirë evropiane nuk parashikon të caktohet nga prefekti si kryetar bashkie një person që nuk është zgjedhur as këshilltar bashkiak, por është emëruar nga humbësi.

Shkelët Kushtetën dhe atë që u votua nga sovrani nuk e lejuat të betohet. Në kundërshtim me ligjin, caktoni një kryetar të ri bashkie, siç edhe Prefekti e deklaroi, dhe e interpretoni ligjin ashtu siç ju intereson. Juve nuk ju intereson ligji, por ju intereson vetëm të mos betohet, qoftë edhe për një orë të vetme, ai që u zgjodh kryetar bashkie konform Nenit 109 të Kushtetutës. Për ju, ligji është thjesht një copë letër bakalli. Me gjasë, letër bakalli është edhe për z. Tavo, i cili në kundërshtim me ligjin, dje u tregoi këshilltarëve si të mendonin, sot mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak për t`u siguruar që e kishin kuptuar drejt urdhërin e tij. Pa patur asnjë kompetencë, filloi sot fjalimet elektorale duke premtuar tituj pronësie.

Zgjidhja e vetme është respektimi i Kushtetutës. Zgjidhja e vetme është të lejohet fituesi i zgjedhjeve të betohet. Është e vetmja gjë që mund t’i japë fund këtij kaosi ligjor dhe të ndalojë absurdin në Bashkinë Himarë, duke trajtuar banorët e kësaj bashkie në mënyrë të barabartë me çdo qytetar tjetër të kësaj Republike që ushtroi të drejtën e tij elektorale në zgjedhjet e datës 14 maj. Dhionisios – Alfred Beleri. Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë (sepse kryetari i bashkisë zgjidhet nga populli dhe jo nga vota e 15 njerëzve të trembur)

Kryebashkiaku i zgjedhur në maj 2023, Fredi Beleri ndodhet në burg pazi akuzohet për blerje votash, ndërsa kryetari në detyrë Jorgo Goro u arrestua disa ditë më parë, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, në dy episode, ku përfitues fundor i truallit, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS.

Dy ditë më parë, nga qelia e burgut, Jorgo Goro dha dorëheqjen. 12 vjet e 10 muaj në krye të kësaj bashkie, Goro thotë se e drejtoi qytetin pasi nuk kishte tjetër zgjedhje në një kohë kur i zgjedhuri Fredi Beleri ndodhej në burg.

“S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve. Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik, për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës, me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobusët me premtime dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Por nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel”, shkruante Goro.

Goro u arrestua mbrëmjen e 23 marsit, ndërsa kallëzimin për të e bëri rivali i tij në zgjedhjet e 14- majit, Fredi Beleri që u arrestua vetëm 2 ditë përpara procesit te votimit./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *