Nga Ermal Qori
Sviatlana Tsikhanouskaya, liderja e opozitës Bjelloruse është rrëfyer ekskluzivisht për Vizion Plus mbi rëndësinë e vizitës dy ditore në Tiranë, dhe gjithçka lidhet me vendin e saj.
E shoqëruar nga delegacioni dhe në nën masa të rrepta sigurie, liderja e opozitës zbardh detaje nga qëndrimi i saj në vendin tonë.
“Nga pikëpamja politike ishte shumë e rëndësishme të merrja pjesë në një aktivitet për Paktin e Qyteteve të Lira në Tiranë ku tregohet se Shqipëria mbështet të gjithë ata njerëz që luftojnë për ndryshime demokratike ne Bjellorusi. Kemi ngjashmëri sepse edhe ju këtë rrugë e keni kaluar nëpër këto vështirësi kur kaluat nga diktatura në demokraci dhe ende ndjeni dhimbjen e atyre njerëzve që po luftojnë tani për të drejtat e tyre dhe kundër represioneve”, tha liderja e opozitës bjelloruse për Vizion Plus.
Tsikhanouskaya është parë si model frymëzimi dhe gëzon mbështetje nga liderët Europian, por sa sfiduese është për të të përballet me një sistem autoritar?
“Para së gjithash, ne nuk e konsiderojmë veten si opozitë, sepse jemi shumica e bjellorusëve që duan ndryshime në Bjellorusi, që duan të largojmë diktaturën dhe të ndërtojmë një Bjellorusi pro-evropiane, demokratike dhe të pavarur. Por në Bjellorusi është e pamundur të kundërshtosh regjimin, njerëzit mund të ndalohen për çfarëdo arsye, qoftë edhe për ngjyrën e gabuar të çorapeve. Kemi mijëra të burgosur politikë. Çdo ditë 15-20 persona ndalohen për pozicionin e tyre kundër luftës ose kundër regjimit. Është vërtet si të jetosh në epokën e Stalinit. Për momentin po përgatitemi për një dritare të re mundësish për vendin tonë, ku mund të jemi sërish në rrugë për të protestuar. Tani detyra jonë është të dobësojmë regjimin dhe të forcojmë njerëzit, të forcojmë identitetin tonë kombëtar, të forcojmë institucionet tona alternative të pushtetit”, tha Tsikhanouskaya.
Duke falënderuar Shqipërinë për qëndrimet sanksionuese ndaj qeverisjes së Lukashenkos, liderja bjelloruse kërkon ndihmën e aleatëve pasi e shikon si rrezik serioz aleancën Lukashenko-Putin?
“Kjo aleancë e diktatorëve, nuk është vetëm një kërcënim për Ukrainën apo Bjellorusinë, por edhe për partnerët tanë demokratikë perëndimorë. Sepse ajo që shohim tani në Bjellorusi, është që Lukashenko dhe Putini mbështeten te njëri-tjetri dhe ata po vendosin armë bërthamore në Bjellorusi. Ata orkestrojnë krizën e emigracionit në kufijtë me Bashkimin Evropian. Lukashenko nuk njihet si lideri i Bjellorusisë nga shoqëria jonë demokratike. Kështu që ne duhet ta dobësojmë këtë regjim sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe kërkojmë ndihmën e aleatëve për të ndërtuar Bjellorusin demokratike që të kthehet në një në sanksionin më i fortë kundër regjimit të Putinit”, tha Tsikhanouskaya.
Sviatlana Tsikhanouskaya, liderja e opozitës bjelloruse udhëtoi drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në samitin e Kryebashkiakëve të metropoleve më të rëndësishme evropiane dhe jo vetëm, që u mblodhën në Tiranë duke synuar të forcojë bashkëpunimin mes qyteteve dhe të sigurojë fonde direkte nga BE-ja për zhvillimin urban./vizionplus.tv