Vasil Bedinaj, operator turistik nga qyteti i Vlorës, gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” tha se biznesi ka marrë masat për të përballuar pikun e sezonit 2026.
Pritshmëritë sipas tyre janë pozitive, pasi interesi i të huajve ka qenë i lartë. Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit bizneset turistike të zonës janë të mendimit se nëse sezoni nuk shkon siç duhet, faji nuk do të jetë i operatorëve turistikë
“Ne kemi marrë masat tona. Me strukturat tona jemi gati për të mirëpritur çdo turist. Çmimet nuk janë rritur, janë njësoj si një vit më parë. Por në rast se sezoni nuk do të shkojë mbarë, faji është i punëve në infrastrukturë, pra i institucioneve. Jemi në fund të marsit dhe ende shohim punime të papërfunduara në rrugë, kanale ujësjellësi, energji etj. Nuk ka asnjë afat se kur ato do të përfundojnë. Turisti kërkon rrugë të shtruara, energji që nuk ndërpritet, furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe këto janë shërbime publike që i takojnë qeverisë dhe jo biznesit privat”, tha Bedinaj.
Lidhur me risinë që do të zbatohet këtë vit me plazhet publike dhe tarifimi i tyre nga bashkitë, sipas Bedinajt është një model shumë i mirë për të qenë i vërtetë.
“Në letër është shumë model i mirë. Por në zbatim kam dyshimet e mia. Nuk shoh në Vlorë që të ketë nisur puna për të bërë një plan pune për zbatimin e këtij modeli, kur ndërkohë sezoni është në prag. Ne jemi të idesë që nevojiten sa më shumë plazhe publike për vizitorët”, tha ai.
Sipas Bedinaj, Vlora është në pritje të aeroportit. Lufta në Lindjen e Mesme sipas tij do të ishte një sinjal i mirë që flukset turistike të vijnë në Shqipëri, por që kjo të ndodhë duhet të nis punë aeroporti i Vlorës.
/vizionplus.tv





