Subscribe

Që prej datës 22 janar, hyrja drejt Kosovës bëhet vetëm me tri doza vaksine. Por kjo masë e vendosur në kufi është bërë pengesë jo vetëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe për aktivitetin ekonomik të bizneseve.

 

Sokol Gjini është një sipërmarrës në zonën e Kukësit që eksporton drejt Kosovës pjesë kompjuterike dhe produkte ushqimore.

 

Ai tregon për “Vizion Plus” se deri tani nuk ka bërë asnjë rrugë tregtare dhe se asnjë prej punonjësve nuk i ka të vaksinuar me të trija dozat.

 

SOKOL GJINI

SIPERMARRES

 

“Masat shtrënguese kanë ndikuar negativisht. Kjo është një masë bllokuese dhe ndikon negativisht në shkëmbimin e mallrave. Gjatë kësaj periudhe, që kur u vendosën këto masa, edhe bizneset të shumicës, edhe bizneset e vogla, kanë pasur pengesë sepse është penguar lëvizja. Tre vaksina, për tregtarët, e kanë teknikisht të pamundur. Duke ditur që vaksina e tretë bëhet pas 6 muajsh. Koha është e pamjaftueshme që ata të jenë brenda kohës për të bërë vaksinën e tretë. Me këtë masë nuk bllokojmë virusin, por veten.”

 

Të njëjtën thirrje që qeveria e Albin Kurtit të reflektojë dhe të tërheqë këtë vendim bën edhe Albert Nasto, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

 

 

ALBERT NASTO

KRYETAR I SHOQATES SE BIZNESIT TE VOGEL E TE MESEM

 

“I jemi drejtuar me një letër të hapur Albin Kurtit për mbylljen e doganave në mënyrë të papritur dhe të paprecedentë. Ky vendim ishte i parakohshëm.”

 

Sipas tij, puna e bizneseve gjatë këtyre ditëve nën këto masa ka rënë me gati 20%.

 

 

ALBERT NASTO

KRYETAR I SHOQATES SE BIZNESIT TE VOGEL E TE MESEM

 

 “Ka shkaktuar një dëm ekonomik dhe financiar, sidomos për bizneset e zonës së Shkodrës dhe Kukësit. Edhe për biznesin kosovar. Dëmi financiar dhe ekonomik ka qenë i madh, por edhe një krizë mosbesimi prej vendimit të marrë nga Kurti, është e njëanshme, e pamenduar.”

 

Hyrja në fuqi e masave u shoqërua edhe me protesta nga dhjetëra qytetarë në Kukës, të cilët u kthyen mbrapsht nga autoritetet doganore sepse nuk ishin të vaksinuar me tri doza.

 

Por pavarësisht kësaj, qeveria e Kosovës nuk ka bërë hapa pas, duke argumentuar se kjo është një masë e nevojshme sepse rastet me COVID janë rritur ndjeshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *