Subscribe

Paketa fiskale e propozuar nga qeveria për vitin e ardhshëm po kritikohet në unison nga komuniteti i biznesit.

 

Bizneset prodhuese në vend kërkojnë që paketa e vitit tjetër të përfshijë lehtësi fiskale për ta, veçanërisht në këtë periudhë për shkak të kostove të shtuara.

 

Akciza e gazit në veçnati, e hyrë në fuqi që në korrik, sipas tyre ka rënduar së tepërmi aktivitetin prodhues dhe nëse ajo nuk rimbursohet, biznesi paralajmëron se vetëm nuk do të eksportojë dot, por as nuk do të prodhojë dot.

 

NIKOLIN JAKA

 

DHOMA E TREGTISE DHE INDUSTRISE

 

“Kërkojmë që akciza të mos kthehet në kosto për prodhuesit. Kemi një vit që po e provojmë që akciza e gazit është kthyer në një kosto të paimagjinueshme për prodhuesit.  Ka shumë biznese dhe kompani që po shkojnë drejt mbylljes. Të kalohet në procedurën e rimbursimit për prodhuesit, të rimbursohet akciza e gazit.”

 

ILDA BARAJ

 

BASHKIMI I PRODHUESVE SHQIPTARE

 

“Jemi në vështirësi të jashtëzakonshme prej 2 vitesh. Kemi kosto shumë të mëdha për të vijuar aktivitetin për shkak të energjisë elektrike, vendet e rajonit paguajnë faturat e energjisë 3-4 herë më pak, sepse stimulohen nga qeveritë e tyre për të vijuar qëndrueshmërinë. Vendosja e akcizës së gazit na bën joproduktiv dhe jokompetitiv.”

 

Nga ana tjetër, në komentet e saj drejtuar qeverisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë kritikon për politikën  gjobvënëse ndaj biznesit në periudhë krize, duke ngritur shqetësimin se kështu vetëm po nxitet më tej korrupsioni.

 

DHOMA AMERIKANE E TREGTISE

 

“Ne gjykojmë se propozimi për rritjen e gjobave është i pabazuar në ligj dhe antikushtetues. Normat e propozuara për moslëshimin e faturës janë përtej normave që parashikon aktualisht legjislacioni tatimor në fuqi si dhe nuk është marrë në konsideratë parimi i proporcionalitetit. Ashpërsimi i gjobave tatimore rrit automatikisht korrupsionin e administratës tatimore, pasi përpara një gjobe të lartë, tatimpaguesi bie më lehtë pre e presionit të administratës tatimore për korrupsion, me qëllim shmangien e pagesës së gjobës.”

 

Po ashtu, Dhoma Amerikane e Tregtisë i tërheq vëmendjen Ministrisë së Financave për konsultimet e munguara për hartimin e paketës fiskale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *