Dy grupe kriminale që vidhnin sende me vlerë në Francë dhe i kontrabandonin në Shqipëri janë zbuluar nga hetimet e SPAK.

 

SPAK përmes njoftimit zyrtar bën me dije se sendet dhe paratë e vjedhura depozitoheshin në një hotel dhe më pas transportoheshin në mënyrë të jashtëligjshme drejt vendit tonë.

 

“Bazuar akteve të administruara rezulton se, grupet kriminale që kanë vepruar në kuadër të aktivitetit të paligjshëm kriminal, si në territorin francez, ashtu dhe atë shqiptar janë dy.

 

Në lidhje me grupin e parë, rezulton se personat nën hetim pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, pasi i depozitonin në një hotel, ua jepnin ato në dorëzim për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

Gjithashtu dy grupet në bashkëpunim kanë futur drejt Shqipërisë shuma të konsiderueshme parash, mbi 720 mijë euro si dhe sendesh të çmuara.

 

“Në lidhje me grupin e dytë, rezulton se, personat nën hetim, në bashkëpunim me anëtarët e grupit të parë, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale duke transportuar shuma monetare në sasi të madhe, dhe të padeklaruara nga Shqipëria-Francë. Këto shuma të përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër prej 724,386 euro, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, pa përfshirë këtu shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme që kapin vlerën e 2.113.000 Euro dhe 35.000 Franga. Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara (flori)”, vijon njoftimi.

 

Produktet janë futur në Shqipëri përmes vetë personave të përfshirë ose nëpërmjet kompanive të transportit Francë-Shqipëri. Këto produkte janë shitur tek persona të ndryshëm duke fshehur njëkohësisht edhe të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *