Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, thanë se vdekja e Madeleine Albright është një humbje e madhe për botën.

 

Albright vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare.

 

“Ajo ishte një prej sekretareve më të mira të Shtetit, një ambasadore e shkëlqyer në OKB, një profesoreshë brilante dhe një njeri i jashtëzakonshëm”, u tha në deklaratën e përbashkët të Bill dhe Hillary Clinton.

 

Madeleine Albright gjatë administratës së Bill Clintonit shërbeu fillimisht në postin e ambasadores në Kombet e Bashkuara dhe më pas më 1997 u emërua në postin e Sekretarit të Shteitt. Ajo ishte gruaja e parë në këtë post dhe shërbeu deri më 2001. Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

 

“Për shkak se ajo e dinte nga dora e parë që vendimet politike të Amerikës kishin fuqi për ta bërë dallimin në jetën e njerëzve në mbarë botën, ajo e pa punën e saj edhe si obligim, por edhe si mundësi”, thanë Bill dhe Hillary Clinton.

 

“Ajo e bëri më të mirën për të avancuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin: duke i dhënë fund spastrimit etnik në Bosnje dhe Kosovë; duke mbështetur zgjerimin e NATO-s në Evropën Qendrore; duke luftuar përhapjen e armëve nëbrthamore; duke zgjeruar përpjekjet e SHBA-së për të forcuar shoqërinë civile, duke reduktuar varfërinë dhe duke ulur borxhin në shtetet në zhvillim; duke ngritur shqetësimet për ndryshimet klimatike dhe degradimin e mjedisit në nivel botëror dhe shumëçka tjetër. Për më tepër, deri në bisedën tonë të fundit dy javë më parë, ajo kurrë nuk e humbi sensin e humorit apo vendosmërinë e saj për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për liri dhe demokraci”, u shtua në reagimin e Bill dhe Hillary Clinton.

 

Ish-presidenti Clinton po ashtu kujtoi udhëtimin e fundit që e bëri së bashku me ish-sekretaren Albright në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me ç’rast u zbulua edhe busti për nder të saj, që gjendet në Prishtinë.

 

“Pothuajse tre vjet më parë, ne ishim në udhëtimin tonë të fundit së bashku për të festuar 20-vjetorin e luftës së Kosovës për pavarësi, kur ata vendosën që ta zbulonin një statujë të saj në qendër të Prishtinës. Për të ishte një ditë shumë e lumtur, një ditë shumë e merituar”, thuhet në reagim.

 

Gjatë kësaj vizite në Kosovë më 2019, Albright deklaroi se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”. Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *