Ende në flakë anija në Finlandë, mjeti lundrues rus besohet se u godit nga dronët ukrainas

Zjarri në bordin e anijes ruse të mallrave “Sparta II”, e cila u godit nga dronët në Detin Baltik, vijoi gjatë gjithë natës, pavarësisht përpjekjeve për të shuar flakët.
Sipas ushtrisë finlandeze, sulmi i së shtunës dyshohet se është kryer nga Ukraina.
“Sulmi me dron ndaj anijes vlerësohet të ketë ndodhur pasi dihet që kjo anije është përdorur për transporte për shtetin rus, përfshirë forcat e armatosura. Ka të ngjarë që Ukraina të jetë pas sulmit.”, tha Aki-Mauri Huhtinen, zëdhënësi i Forcave të Armatosura finlandeze.
Pas goditjes, anija hyri në ujërat finlandeze ku ndodhet ende e ankoruar. Të 16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan dhe u dërguan në një tjetër anije ruse që ndodhej pranë.
Anija, e cila ishte nisur nga Shën Petersburgu ofron shërbime logjistike për Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë. Ajo është gjithashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, komandanti i Marinës Estoneze, paralajmëroi se nuk mund të përjashtohen sulme të tjera në Gjirin e Finlandës.
Gjatë këtij viti, Ukraina ka kryer disa sulme me dronë pranë Detit Baltik. Disa prej tyre kanë hyrë edhe në hapësirën ajrore të vendeve baltike, duke shtuar shqetësimet për përhapjen e luftës në territorin e NATO-s.




