Një javë pas katastrofës që goditi Nepalin, pasojat e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve masive të dheut vijojnë të jenë dramatike. Bilanci i viktimave ka shkuar në 987 persona, ndërsa më shumë se 4 mijë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Shkatërrimi nisi pas shembjes së një akullnaje në Himalaje, që shkaktoi një valë masive uji, balte dhe mbetjesh shkëmbore, duke përfshirë lugina, rrugë dhe qendra të banuara. Tashmë ekipet e shpëtimit po depërtojnë edhe në zonat më të izoluara të vendit. Një nga operacionet më të vështira po zhvillohet në tunelet e hidrocentraleve, ku qindra punëtorë kishin mbetur të bllokuar.
Vetëm gjatë operacioneve të fundit janë shpëtuar rreth 300 punonjës, ndërsa ushtria nepaleze po përdor makineri të rënda dhe pajisje të specializuara për të hapur rrugën përmes baltës dhe rrënojave.
Në total, më shumë se 11 mijë persona janë nxjerrë të gjallë nga zonat e prekura, por puna e ekipeve të kërkim-shpëtimit mbetet jashtëzakonisht e vështirë.Rrugët dhe urat e shkatërruara kanë izoluar komunitete të tëra, ndërsa mungesa e komunikimit dhe terreni i thyer malor e komplikojnë më tej operacionin.Mes zonave më të goditura janë distriktet Rasuë a dhe Nuë akot, ku përmbytjet kanë marrë me vete banesa, rrugë dhe infrastrukturen energjetike.
Një nga historitë që ka prekur më shumë opinionin publik është ajo e një shkolle në Nepal, ku një paralajmërim i marrë vetëm 14 minuta përpara mbërritjes së ujërave bëri të mundur evakuimin e më shumë se 900 nxënësve dhe 16 pjesëtarëve të stafit. Shkolla më pas u shkatërrua dhe tashmë ndodhet në shtratin e lumit.Por përtej bilancit tragjik njerëzor, fatkeqësia ka rikthyer në qendër të vëmendjes edhe rrezikun klimatik në Himalaje.Ekspertët e cituar nga Reuters thonë se ndryshimet klimatike po krijojnë kushte që mund të destabilizojnë akullin dhe shkëmbinjtë në lartësi të mëdha, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje të tjera.
Ndërsa Nepali përpiqet të gjejë të mbijetuarit dhe të identifikojë viktimat, një tjetër sfidë po shfaqet: rikthimi i jetës normale në një vend ku infrastruktura jetike është dëmtuar rëndë.Dhe për mijëra familje, operacioni i shpëtimit ende nuk ka përfunduar. Ata vazhdojnë të presin lajme për njerëzit e tyre të zhdukur.





