Bien hyrjet nga pikat kufitare, shkak është bërë shuma që duhet të paguajnë për hotelin

Gjatë 24 orëve të fundit vetëm një shtetas shqiptar me pasaportë biometrike ka hyrë në vendin tonë nga Greqia përmes pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, ndërkohë që asnjë hyrje nuk është regjistruar nga Qafë Thana. Kjo rënie drastike e numrit të hyrjeve nga pikat kufitare të qarkut të Korçës sipas burimeve i dedikohet edhe sensibilizimit të këtyre shtetasve të cilët para karantinimit për 14 ditë në vendin tonë janë duke zgjedhur që të vazhdojnë të qëndrojnë në vendet fqinje gjatë kësaj periudhe.
Nga ana tjetër, shkak për uljen maksimale të numrit të emigrantëve që vijnë në qarkun e Korçës duket se është edhe shuma financiare që atyre u duhet të paguajnë për 14 ditët e karantinës në një hotel të mbikqyrur nga policia. Shumë prej emigrantëve duket se nuk e kanë mundësinë të paguajnë këto shpenëzime, duke zgjedhur në këtë mënyrë të qëndrojnë në shtetet e huaja.
Një ditë më parë kanë hyrë vetëm 5 emigrantë, të cilët ashtu si edhe të tjetër janë transportuar nga ana e policisë drejt hoteleve të karantinës në qarkun e Korçës, 3 prej të cilave në qytetin e Korçës dhe një në Pogradec. Duhet thënë se disa prej emigrantëve të karantinuar herë pas here kanë shfaqur ankesa lidhur me mungesën e të ardhurave për të paguar akomodimin dhe ushqimin, gjë e cila ka detyruar edhe autoritetet vendore në Korçë të bëjnë thirrje për të siguruar ndihma për këta qytetarë.




